Në Shkup filloi takimi i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), një ngjarje e cilësuar si historike për Maqedoninë e Veriut; më e madhja e këtij formati që është mbajtur ndonjëherë në vendin ballkanik.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ishte mbrëmë i pranishëm gjatë darkës formale me shefat e diplomacive të vendeve të OSBE-së dhe para kësaj u takua me kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski dhe me ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani.
Zoti Blinken theksoi mbështetjen e fuqishme amerikane për rrugën integruese të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, teksa shprehu mirënjohje për rolin e saj dhe për mënyrën e drejtimit në rrethana të vështira dhe sfiduese të OSBE-së.
Sekretari Blinken udhëtoi mbrëmë për në Izrael, ndërsa sot në Shkup arriti, mes tjerësh, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pasi autoritetet e këtushme i hoqën masat kufizuese për fluturimin e aeroplanit të tij. Lavrov fluturoi mbi Detin e Zi, mbi hapësirën ajrore të Turqisë dhe Greqisë, pasi Bullgaria nuk i dha leje për shkak se në delegacion ndodhej zëdhënësja Marija Zaharova, e cila e cilësoi vendimin bullgar si “absurd dhe te marrë”.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel tha gjatë një konference shtypi të mërkurën në mbrëmje se prania e ministrit të Jashtëm rus, Lavrov në konferencë ishte një rast i mirë që ai t’i kumtojë “shefit të Kremlinit se BE-ja dhe OSBE-ja mbeten të bashkuara në dënimin e sjelljes agresive të Rusisë”.
Presidencën e radhës të OSBE-së për vitin 2024 pritet ta marrë Malta, pas kompromisit të arritur në selinë e organizatës në Vjenë, ndërsa kjo pritet të miratohet me konsensus në takimin e Shkupit.
Këshilli Ministror i OSBE-së diskuton mbi sigurinë në rajonin e Evropës, Amerikës Veriore dhe Euroazisë, mbi luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe çështje të tjera. Takimi përfundon të premten, 1 dhjetor, me nënshkrimin e një Deklarate të përbashkët.