Qeveria amerikane do të detyrohet të ndërpresë lidhjen e kompanive të kriptovalutave nga sistemi ekonomik amerikan nëse ato dështojnë të bllokojnë dhe raportojnë transaksionet e paligjshme, paralajmëroi të mërkurën Zëvendës Sekretari i Thesarit, Wally Adeyemo.
Duke folur në një takim të organizuar nga Shoqata Blockchain, Zoti Adeyemo tha se firmat e kriptovalutave duhet të bëjnë më shumë për të kufizuar qarkullimin e parave të paligjshme dhe se mungesa e veprimit në atë sektor përbën rrezik për Shtetet e Bashkuara.
“Veprimet tona dërgojnë një mesazh të qartë se ne nuk do të hezitojmë të përdorim të gjitha mjetet që ofron qeveria amerikane për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare”, tha zoti Adeyemo.
Të martën, administrata e Presidentit Biden i dërgoi një letër Kongresit amerikan duke i kërkuar hartimin e një legjislacioni të ri që do t'i jepte Departamentit të Thesarit autoritetin për të kontrolluar tregjet e kriptovalutave të përdorura nga aktorë që qeveria amerikane i konsideron si të paligjshëm, tha zoti Adeyemo.
Në muajin tetor Shtetet e Bashkuara ndëmorën masa që synojnë ndërprerjen e financimit për grupin militant palestinez Hamas pas sulmeve vdekjeprurëse në Izrael, duke vënë theksin tek një firmë e shkëmbimit të kriptomonedhave me qendër në Gazë mes objektivave të tjerë.
Javën e shkuar, drejtuesi i firmës Binance, Changpeng Zhaopre pranoi fajësinë për shkeljen e ligjeve amerikane kundër pastrimit të parave, si pjesë e një gjobe prej 4.3 miliardë dollarësh. Ai dha dorëheqjen nga posti drejtues i firmës më të madhe të kriptovalutave në botë.
Prokurorët thanë se firma Binance shkeli ligjet amerikane kundër pastrimit të parave dhe sanksioneve dhe nuk raportoi më shumë se 100,000 transaksione të dyshimta me organizata që SHBA-të i cilësojnë si grupe terroriste, përfshirë Hamasin, Al Kaidën dhe ISIS, thanë autoritetet.