Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se do të punojë me Izraelin për të parë nëse është e mundur të zgjatet armëpushimi i përkohshëm, që i ka hapur rrugë lirimit të pengjeve nga Hamasi.
Duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s, Sekretari Blinken tha se vazhdimi i armëpushimit do t’i hapte rrugën lirimit të më shumë pengjeve dhe dërgimit të më shumë ndihmave në Rripin e Gazës.
“Është e qartë se ne e dëshirojmë këtë. Besoj se këtë e dëshiron edhe Izraeli”, tha ai.
“Po punojmë çdo ditë për të arritur këtë objektiv dhe për këtë çështje do të bisedojë nesër në takimet me qeverinë e Izraelit”, shtoi ai.
Izraeli dhe Hamasi, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, po negociojnë me ndihmën e ndërmjetësve për zgjatjen e pauzës gjashtë ditore të luftimeve, që i ka hapur rrugën lirimit të 60 grave dhe fëmijëve nga Hamasi. Në sulmin e 7 tetorit në jug të Izraelit, militantët e Hamasit vranë 1200 njerëz dhe morën peng 240 të tjerë.
Në këmbim të lirimit të pengjeve nga Hamasi, Izraeli ka liruar 180 palestinezë, që po mbaheshin në burgjet izraelite, të gjithë gra dhe adoleshentë.
Sekretari Blinken, i cili do të vizitojë edhe Bregun Perëndimor dhe Emiratet e Bashkuara Arabe këtë javë, tha se ai do të bisedojë edhe mbi të ardhmen e Rripit të Gazës dhe zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.