Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përshëndetën të martën zgjatjen e afatit të armëpushimit në Gazë. Ata folën para një takimi dyditor të ministrave të Jashtëm të aleancës në Bruksel, në qendër të të cilit përveç krizës në Lindjen e Mesme, do të jetë edhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën. Një nga temat në takim do të jetë edhe qendrueshmëria në Ballkanin Perëndimor.
Sekretari Blinken, në komente për median së bashku me sekretarin Stoltenberg para fillimit të takimit e vuri theksin tek roli i aleancës përballë sfidave madhore globale.
“Aleanca e NATO-s është më e rëndësishme se kurrë ndonjëherë më parë. Gjatë tre viteve të fundit e kemi parë se NATO-ja e ka treguar veten duke u bërë një faktor qendror në kushtet e sfidave me të cilat përballemi”, tha ai.
Zoti Blinken rikonfirmoi mbështetjen amerikane për Ukrainën përballë agresionit të Rusisë. Në të njëjtën linjë ishin edhe komentet e sekretarit Stoltenberg, i cili tha se është detyrim i aleancës që të furnizojë Kievin me armët që i nevojiten.
“Ukraina do të jetë temë kryesore. Sulmet ruse po vazhdojnë. Luftimet intensive vazhdojnë përgjatë vijës së frontit dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme vazhdimësinë e ndihmës së aleatëve të NATO-s për Ukrainën.
Dy diplomatët e lartë përshëndetën gjithashtu zgjatjen e afatit të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë.
“Jam shumë i lumtur që pengjet po kthehen në shtëpitë e tyre, tek të dashurit e tyre. Jemi të vendosur ta vazhdojmë përpjekjet për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të bërë të mundur kthimin e sa më shumë njerëzve në shtëpitë e tyre”, tha zoti Blinken.
"Kjo bën të mundur lehtësimin shumë të nevojshëm për banorët në Gaza, si edhe lirimin e më shumë pengjeve dhe dërgimin e ndihmës së mëtejshme humanitare", tha zoti Stoltenberg.
Zoti Blinken dhe zoti Stoltenberg thanë se qendrueshmëria në Ballkanin Perëndimor do të jetë një nga temat e takimit të NATO-s. Më herët zoti Stoltenberg foli më hollësisht për sfidat e rajonit, të cilin e vizitoi javën e kaluar. Ai shprehu shqetësimin për rritjen e tensioneve, duke iu referuar veçanërisht retorikës nxitëse në Bosnje dhe tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe dhunën ndaj forcave paqeruajtëse të aleancës.
“Këto janë incidente serioze dhe ne duhet të vazhdojmë ta kemi vëmendjen në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Zoti Stoltenberg premtoi se kjo vëmendje do të vazhdojë me gjithë sfidat madhore globale, me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe mbështetjen për Ukrainën.
“Të jeni të sigurt se NATO do të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbështetur dhe siguruar stabilitetin në rajon, sepse kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për të gjithë Evropën dhe NATO-n”, tha ai.
Shefi i NATO-s përmendi rritjen e numrit të trupave në Kosovë dhe tha se aleanca do të punojë ngushtë me partnerët dhe aleatët në rajon për të zbutur tensionet dhe për të parandaluar çdo përshkallëzim të konfliktit.