Lidhje

BIRN: Rusia dhe Kina përmes dezinformimit duan të pengojnë integrimet euro-atlantike të Kosovës


Një raport i hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese BIRN, tërheq vëmendjen se Rusia dhe Kina po shfrytëzojnë dezinformimin me qëllim që të nxisin konflikt ndëretnik në Kosovë, të ulin besimin e shoqërisë në procesin e integrimeve euroatlantike dhe të paraqesin Shtetet e Bashkuara në një pasqyrë të shtrembëruar.

Raporti me titullin “Vorbulla e rrenave”, që është hartuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, nënvizon brishtësinë e institucioneve dhe medieve për t’u përballur me këtë vorbull.

Kreshnik Gashi nga BIRN tha se rusët përmes dezinformatave synojnë të pengojnë integrimet euro-atlantike si dhe nxitjen e dhunës dhe urrejtjes në mes të komuniteteve në Kosovë.

“Ka një tentativë të vazhdueshme që NATO të kriminalizohet në Kosovë dhe me u pa si diçka që nuk është e mirë për vendin tonë. Narrativa e dytë që është identifikuar dhe e cila është po ashtu problematike është narrativa kundër integrimeve në Bashkimin Evropian dhe tentativa për ta portretizuar BE-në si diçka të keqe për Kosovën. Tutje influenca ruse synon me nxitë një luftë brenda Kosovës dhe këtë e kemi identifikuar me mesazhet që kanë ardhur në drejtim të Kosovës me atë që NATO-ja ka nisë të fajësohet si një mekanizëm që po i përkrahë vetëm shqiptarët dhe po synon me i ndihmu ata me pushtimin e veriut të Kosovës”, tha ai.

Sipas raportit, Kosova nuk ka kapacitete për t’u përballur me dezinformatat që vijnë nga Rusia dhe ndikimit që mund të vijë nga Kina.

“E dhëna kryesore është që influenca e tyre po mbërrin të ndikojë edhe qytetarin e Kosovës për shkak se matjet që janë bërë me qytetarët është konstatuar që dezinformata që vjen prej Rusisë perceptohet si diçka e vërtetë në vendin tonë”, tha zoti Gashi.

Në raport theksohet se dezinformatat ruse janë ritransmetuar në mediat e Kosovës të cilat po bien viktimë për shkak të mungesës së politikave editoriale për të identifikuar shpërndarjen e dezinformimit që vjen nga Rusia dhe Kina.

Sipas raportit dezinformatat që vijnë nga Kina megjithëse janë më të pakta në numër, përhapen në Kosovë me synimin për të goditur Shtetet e Bashkuara.

“Pika e parë është promovimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si diçka e keqe dhe si një vend i cili ka kriminalitet të lartë dhe ka probleme me sundimin e ligjit. Pika e dytë është për me promovu ose me trajtu informacione rreth shëndetësisë në Kinë dhe e treta është po ashtu me synu me tregu që Kina është një vend i zhvilluar dhe prodhimet kineze duhet me u ble sepse janë të kualitetit të lartë”, tha zoti Gashi.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog tha se raporti tregon se Kosova është e goditur nga ndikimi i huaj dhe propaganda posaçërisht në rrugën e saj drejt integrimeve në Bashkim Evropian dhe NATO.

“Ne e dimë se shumica e qytetarëve të Kosovës, më shumë se 90 për qind, janë në favor të integrimit në Bashkimin Evropian, ne duhet të ruajmë këtë numër pozitiv. Megjithatë nëse qytetarët e Kosovës ekspozohen ndaj dezinformatave që tregojnë se integrimi në Bashkimin Evropian është i pafavorshëm dhe jo i dobishëm për të ardhmen e Kosovës, kjo mund të çojë në zvogëlimin e mbështetjes për vetë integrimin dhe mungesën e përparimit drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Zoti Szunyog tha se një shqetësim i madh që ngritet në raport është përhapja e dezinformatave për një luftë të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat sipas tij, janë të rrezikshme dhe mund të nxisin më tej tensionet.

“Evropa sfidohet nga politikat e ekstremit të djathtë dhe nacionaliste. Si një shoqëri shumë etnike, Kosova nuk duhet të lejojë që të ndikohet nga dezinformatat nacionaliste që dëmtojnë tolerancën”, tha ai.

Në raport theksohet se një përqindje e mirë e popullsisë e ka të vështirë të bëjë dallimin mes informacionit të saktë dhe të rremë në mungesë të njohurive të nevojshme për ta identifikuar dezinformatën.

Raporti bën thirrje për zhvillimin dhe zbatimin e programeve të edukimit për median dhe mekanizmave të fortë të kontrollit të fakteve brenda organizatave mediale, si një mundësi për të luftuar dezinformatat që vijnë nga jashtë.

XS
SM
MD
LG