Delegacione të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, vendeve të Lindjes së Mesme dhe shteteve të Afrikës veriore u takuan në Barcelonë të hënën për të kërkuar përfundimin e luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Takimi u dominua nga thirrjet për t’u dhënë fund luftimeve në Rripin e Gazës, ndërkohë që zyrtarët palestinezë kërkuan zgjatjen e armëpushimit.
Thirrjet për t’i dhënë fund luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit ishin boshti i takimit të 42 shteteve të Bashkimit Evropian, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore që morën pjesë në takimin e organizuar nga Unioni i Mesdheut. Shtetet arabe dhe Bashkimi Evropian u pajtuan në takim që zgjidhja që parasheh krijimin e dy shteteve është përgjigja për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez.
Përfaqësuesi për politikë të jashtme i BE-së Josep Borrell tha se Autoriteti Palestinez duhet ta qeverisë Gazën, por se duhet mbajtur zgjedhje për të fituar legjitimitet dhe për të përmirësuar qeverisjen.
“Mendoj se është e vetmja zgjidhje e mundshme, por do të bëhet e tillë nëse bashkësia ndërkombëtare e mbështet. Përndryshe, do të kemi një hendek që do të shndërrohet në terren të përshtatshëm për shumë organizata të dhunshme,” tha zoti Borrell.
Më herë zoti Borrell bëri thirrje për armëpushim afatgjatë në Gazë.
“Asgjë nuk mund të justifikojë brutalitetin e Hamasit ndaj civilëve më 7 tetor, por një tmerr nuk e justifikon tmerrin tjetër," tha shefi i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell. "Pauza duhet të zgjatet, të bëhet e qëndrueshme dhe afatgjatë, ndërkohë që punojë për një zgjidhje politike. Një zgjidhje politike do të na mundësonte të ndërpresim ciklin e dhunës një herë e përgjithmonë. Sa më gjatë qëtë lejojmë eksremistët të përcaktojnë agjendën, aq më shumë do të përhapet ekstremizmi, jo vetëm në rajon, por do të ketë pasoja edhe për ne në Evropë.”
Izraeli nuk po merr pjesë në këtë forum, që viteve të fundit ka shërbyer si një platformë bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Evropian dhe botës arabe.
Përfaqësuesi i BE-së, Borrell tha se qëllimi i tij ishte që takimi të përqendrohej në menaxhimin e krizës humanitare në Gazë kur përfundojnë luftimet. Bashkimi Evropian dëshiron që Kombet e Bashkuara të marrin rolin kryesor për t’i dhënë zgjidhje hendekut të sigurisë në Gazë, sipas një zyrtari evropian që diskutoi për këtë çështje me kusht që të mos identifikohet.
Gjatë fjalimit të tij, zoti Borrell tha se ka partnerë arabë që “nuk duan të flasin për periudhën pas përfundimit të luftimeve në Gazë pa pasur një rrugë të qartë dhe të besueshme politike. Prandaj duhet të biem dakord që sot të punojmë bashkarisht për të ndërtuar rrethana të tilla politike.”
Ndërkohë, edhe ministri i jashtëm palestinez bëri thirrje për vazhdimin e armëpushimit.
“Armëpushimi hyri në fuqi pas 15,000 vdekjesh. Nëse lufta rifillon nesër atëherë numri i të vrarëve do të dyfishohet, sepse dendësia e popullatës palestineze është dyfishuar. Të gjithë janë grumbulluar në jugun e Rripit të Gazës, 2 milionë njerëz në gjysmën e territorit. Nga sulmet izraelite do të vriteshin tani dyfishi i fëmijëve. Prandaj për ne është e rëndësishme të zgjasim armëpushimin sa më shumë që është e mundur,” deklaroi Ministri i Jashtëm palestinez Riad Al-Malki.
Takimi, i cili po mbahet në Barcelonë, u kryesua nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Borrell dhe ministri i jashtëm jordanez Ayman Safardi.
“Sot erdhëm për të biseduar shumë hapur dhe sinqerisht. U pajtuam dhe nuk u pajtuam. Disa nga kolegët tanë ende e quajnë vetëmbrojtje vrasjen e 15 mijë palestinezëve, shkatërrimin e 160 mijë shtëpive, shkatërrimin e spitaleve, mohimin e ushqimit, ujit, karburanteve, ilaçeve. Ne e quajmë agresion flagrant,” deklaroi zoti Safardi.
Ndonëse zoti Safardi nuk zbuloi se për cilat shtete bëhej fjalë, Çekia, Austria, Kroacia dhe Hungaria këmbëngulin në të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur.
Ndëkohë, Ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock deklaroi para gazetarëve se “fakti që Izraeli i frikësohet njëanshmërisë këtu dhe nuk po merr pjesë në takim tregon se sa të thella janë ndasitë.”
Edhe Ministri i Jashtëm i Spanjës Jose Manuel Albares kërkoi vazhdimin e armëpushimit dhe një zgjidhje politike për dalje nga konflikti.
“Ndalimi i gjakderdhjes, kthimi i Autoritetit Palestinez në Gazë, përjashtimi i Hamasit, i cili nuk duhet të ketë asnjë rol në të ardhmen dhe zbatimi i planit me krijimin e dy shteteve, është zgjidhja. Sot, në Barcelonë, duhet të dëshmojmë se jemi të aftë t’i deklarojmë këto çështje së bashku, me bindje dhe qartësi,” tha zoti Albares.
Pauza e luftimeve ndërmjet Izraelit dhe Hamasit u zgjat edhe për dy ditë të tjera të hënën. Deri më tani palët nuk kanë sqaruar se çfarë pritet të ndodhë pas pauzës së përkohshme të luftimeve.
“Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për krimet që ka kryer. Nëse jo përmes sanksioneve, atëherë duke i bërë trysni të ndryshojë qasje. Nëse duam të shmangim dhunën dhe vdekjet dhe të ofrojmë shpresë për një të ardhme më të qetë dhe të qëndrueshme për njerëzit e rajonit tonë, duhet të bëjmë përpjekje të tejkalojmë këtë krizë aktuale dhe të lëvizim drejt një plani serioz për paqe. Nuk ka alternativë tjetër të qëndrueshme veç ringjalljes së zgjidhjes për krijimin e dy shteteve,” tha Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite Faisal bin Farhan Al-Saud.
Jashtë vendit të takimit, një grup i vogël protestuesish po brohorisnin dhe mbanin në duar flamuj palestinezë.
“Në vitin 2008, në 2020, 2021, 2022 Izraeli gjithmonë bën të njejtën gjë. Nuk ndalet. Nuk mendoj se ky takim do të arrijë ta ndalojë. Duhet forcë dhe përkushtim për t’i thënë ndal. Sepse u bë mjaft,” tha protestuesja palestineze Haia Alau.
Unioni i Mesdheut është organizatë ndërqeveritare e themeluar nga 27 shtetet e BE-së dhe 16 shtete të Mesdheut jugor dhe lindor, përfshirë Izraelin, territoret palestineze, që përfaqësohet nga Autoriteti Palestinez, Egjipti, Libani dhe Jordania.