Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të dielën se kishte arritur të pengonte një sulm ukrainas që përfshinte të paktën 24 dronë dhe dy raketa.
Dronët ishin rrëzuar mbi Moskë, Tula, Kaluga, Smolensk dhe Bryansk.
Autoritetet ruse thanë gjithashtu se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar dy raketa ukrainase S-200 tokë-ajër, të cilat ishin përshtatur për të goditur objektiva tokësore. Raketat sipas Ministrisë së Brendshme ishin rrëzuar mbi Detin Azov.
Një person u plagos në Tula kur një dron i interceptuar, goditi një ndërtesë banimi, tha guvernatori i rajonit, Alexei Dyumin.
Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin tha se gjatë natës ishte tentuar “një sulm masiv me dronë". Ai shtoi se dronët ukrainas ishin rrëzuar në disa zona të rajonit të Moskës.
Gazeta Kommersant tha se për shkak të sulmit ishin shtyrë apo anuluar fluturimet në aeroportet kryesore të kryeqytetit. Një zyrtar i instaluar nga Rusia në rajonin ukrainas të Donetskut që kontrollohet nga Kremlini tha se forcat ukrainase kishin goditur sistemin energjetik, duke lënë një pjesë të popullatës pa ngrohje dhe energji elektrike.
Zyrtarët ukrainas nuk kanë bërë komente lidhur me këto zhvillime, të cilat vijnë një ditë pasi Rusia sulmoi kryeqytetin ukrainas me 75 dronë Shahed, sulmi më i madh me dronë që nga fillimi i agresionit rus.