Armëpushimi i tensionuar midis Izraelit dhe Hamasit duket se është kthyer në rrugën e duhur të dielën herët, pas lirimit të një grupi të dytë pengjesh të mbajtur nga militantët dhe palestinezësh nga burgjet izraelite, por shkëmbimi pasoi një vonesë disa orëshe që theksoi brishtësinë e armëpushimit.
Shkëmbimi u vonua të shtunën në mbrëmje pasi Hamasi akuzoi Izraelin për shkeljen e marrëveshjes, e cila solli pauzën e parë të rëndësishme në shtatë javë të luftës së përshkuar nga dhuna më vdekjeprurëse izraelito-palestineze në dekada, shkatërrime dhe zhvendosje të mëdha në gjithë Rripin e Gazës dhe krizë pengjesh që tronditi Izraelin.
Marrëveshja dukej në rrezik derisa Katari dhe Egjipti, të cilët ndërmjetësojnë me Hamasin, njoftuan të shtunën vonë se pengesat për shkëmbimin u tejkaluan. Militantët liruan 17 pengje, duke përfshirë 13 izraelitë, ndërsa Izraeli liroi 39 të burgosur palestinezë.
Mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Tel Avivit të shtunën vonë duke bërë thirrje për lirimin e të gjithë 240 pengjeve të kapur nga Hamasi në sulmin e tij të 7 tetorit në Izraelin jugor, që çoi edhe në fillimin e luftës. Ata akuzuan kryeministrin Benjamin Netanyahu se nuk po bën sa duhet për t'i rikthyer ata.
Trysnia nga familjet e pengjeve dhe zemërimi për dështimin e Izraelit që të parandalojë sulmin kanë mprehur dilemën me të cilën përballen udhëheqësit e vendit, të cilët kërkojnë të eliminojnë Hamasin si një fuqi ushtarake dhe qeverisëse dhe të lirojnë pengjet.
Lufta tashmë u ka marrë jetën e më shumë se 1200 izraelitëve, kryesisht civilë të vrarë nga Hamasi në sulmin fillestar. Më shumë se 13,300 palestinezë janë vrarë, afërsisht dy të tretat e tyre gra dhe të mitur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi.
Armëpushimi katërditor, i cili filloi të premten, u ndërmjetësua nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara. Hamasi do të lirojë të paktën 50 pengje izraelite dhe Izraeli 150 të burgosur palestinezë. Të gjithë janë gra dhe të mitur.
Izraeli ka thënë se armëpushimi mund të zgjatet me një ditë shtesë për çdo 10 pengje të liruar, por është zotuar se do të rifillojë shpejt ofensivën pasi të përfundojë heshtja e armëve. Izraeli tha herët të dielën se kishte marrë një listë të re pengjesh që do të liroheshin më vonë gjatë ditës, në të tretin nga katër shkëmbimet e planifikuara.
NDIHMA DHE QETËSI NË GAZA
Pauza u ka dhënë 2.3 milionë banorëve të Gazës, të cilët janë ende të tronditur nga bombardimet e pamëshirshme izraelite që kanë dëbuar tre të katërtat e popullsisë nga shtëpitë e tyre dhe rrafshuar zonat e banuara, disa ditë qetësie. Sulmet me raketa nga militantët e Gazës drejt Izraelit gjithashtu pushuan.
Palestinezët e lodhur nga lufta në Gazën veriore, ku është përqendruar ofensiva, u rikthyen në rrugë për të parë dëmet. Blloqe të tëra në dhe rreth qytetit të Gazës janë shkatërruar nga sulmet ajrore.
Në Gazën jugore, ku qindra mijëra njerëz nga veriu kanë kërkuar strehim, banorët u rreshtuan jashtë pompave të benzinës për të dytën ditë, me shpresën për të siguruar karburante. Palestinezët që janë përpjekur të kthehen në veri për të parë shtëpitë e tyre, janë kthyer mbrapsht nga trupat izraelite.
"Shumë veta janë të dëshpëruar për t'u kthyer në shtëpitë e tyre, por ata hapin zjarr ndaj kujtdo që afrohet nga jugu", tha Rami Hazarein, i cili u largua nga qyteti i Gazës muajin e kaluar.
Kombet e Bashkuara thanë se armëpushimi ka bërë të mundur shtimin e shkallës së shpërndarjes së ushqimit, ujit dhe ilaçeve në vëllimin më të madh që nga fillimi i luftës. Organizata tha se ishte gjithashtu në gjendje të dërgonte 129,000 litra karburant, pak më shumë se 10 për qind të vëllimit ditor të paraluftës, si dhe gaz gatimi, i pari që nga fillimi i luftës. Ndihma arriti gjithashtu në veri të Gazës, për herë të parë në një muaj.
Me vonesën e lirimit të pengjeve të shtunën, Hamasi pretendoi se dërgesat e ndihmave dështuan të arrijnë shkallën e pritur dhe se nuk po arrinin mjaftueshëm në veri. Ai gjithashtu tha se Izraeli nuk po lironte mjaftueshëm palestinezë të burgosur për një kohë të gjatë. Shumë palestinezë i shohin të burgosurit e mbajtur nga Izraeli, përfshirë ata të përfshirë në sulme vdekjeprurëse, si heronj që i rezistojnë pushtimit.
MOMENTE ANKTHI PËR FAMILJET E PENGJEVE
Pak para mesnatës, Hamasi liroi grupin e dytë të pengjeve, 13 izraelitë dhe katër tajlandezë. Ata u dorëzuan në Egjipt dhe më pas u transferuan në Izrael, ku u dërguan në spitale.
Hamasi publikoi një video që tregonte pengjet që dukeshin të tronditur, por kryesisht në gjendje të mirë fizike, ndërsa militantët e maskuar i çonin te automjetet e Kryqit të Kuq. Disa nga pengjet u dhanë lamtumirën militantëve. Një vajzë ishte me paterica dhe me këmben e majtë të mbështjellë.
Pengjet izraelite të liruara të shtunën përfshinin shtatë fëmijë dhe gjashtë gra, njoftoi zyra e kryeministrit Netanyahu. Shumica ishin nga Kibuci Be'eri, një komunitet që militantët e Hamasit e shkatërruan gjatë sulmit të tyre me 7 tetor. Fëmijët janë nga mosha 3 deri në 16 vjeç dhe gratë nga 18 deri në 67 vjeç.
Ishte një moment ankthi për banorët e Be’erit, të cilët kanë jetuar në një hotel në Detin e Vdekur që kur komuniteti i tyre u shkatërrua. Një zëdhënës i kibucit tha se të gjithë pengjet e liruara ose kishin një anëtar të familjes të vrarë në sulmin e 7 tetorit ose një të dashur ende në robëri në Gaza.
PRITJE PREJ HERONJSH NË BREGUN PERËNDIMOR
Disa nga të burgosurit palestinezë u liruan në Jerusalemin lindor, ndërsa pjesa më e madhe u kthyen në shtëpi duke përjetuar një pritje prej heronjsh në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Ndër të liruarit ishte Nurhan Awad, e cila ishte 17 vjeç në vitin 2016 kur u dënua me 13 vjet e gjysmë për përpjekjet për ta goditur një ushtar izraelit me një palë gërshërë. Israa Jaabis ishte burgosur që nga viti 2015 pasi u dënua për një sulm me bombë që plagosi një oficer policie izraelite dhe la Jaabis.
Në qytetin Al-Bireh të Bregut Perëndimor, adoleshentë të sapo liruar parakaluan nëpër sheshin kryesor ku valëvitën flamujt palestinezë, si dhe pankarta jeshile të Hamasit dhe pankarta të verdha të partisë rivale Fatah të presidentit Mahmud Abbas.
Sipas Klubit të të Burgosurve Palestinez, një grup mbrojtës, Izraeli mban 7,200 palestinezë të burgosur, duke përfshirë rreth 2,000 të arrestuar që nga fillimi i luftës.
Lufta në Gaza është shoqëruar me një shtim të dhunës në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Autoritetet shëndetësore palestineze thanë herët të dielën se tetë palestinezë u vranë në një sulm ushtarak izraelit në qytetin verior të Bregut Perëndimor të Jeninit, që filloi një ditë më parë.
Ushtria tha se kishte arrestuar një të dyshuar për vrasjen e dy vetave, babë e bir në Bregun Perëndimor në fillim të këtij viti. Ushtria ka kryer bastisje të shpeshta dhe ka arrestuar qindra palestinezë që nga fillimi i luftës, kryesisht persona që dyshon se janë pjesëtarë të Hamasit.