Lidhje

Mali i Zi, numri i madh i diplomave të falsifikuara, problem për institucionet


Numri i madh i diplomave të falsifikuara është një problem që paraqet shqetësim në shtetin e vogël ballkanik, në Mal të Zi. Kjo dukuri, sipas ekspertëve, kërkon një zgjidhje të shpejtë, jo vetëm nga Ministria e Arsimit në Malin e Zi, por edhe nga institucionet tjera përkatëse, u tha në një tryezë të rrumbullakët në Podgoricë, ku u trajtua kjo dukuri që paraqet një problem të madh në shoqërinë malazeze.

Në tryezë u vlerësua se ka mbi 25,000 diploma të falsifikuara ose të dyshimta në Mal të Zi që paraqet një numër tejet të madh për një shtet me 650,000 banorë

Nikola Bezmareviq nga shoqata civile Alternativa tha se, sipas hulumtimit të tyre, aktualisht në Mal të Zi ka 25.000 deri në 30.000 diploma false.

“Ne jemi e vetmja organizatë që kemi folur për këtë problem. Numri më i madh i diplomave false është në shëndetësi dhe arsim. Sa i përket fakulteteve nga vijnë ato diploma, më së shumti ka nga Tutini, Novi Pazari, Prijepole, Novi Sadi dhe Bujanovci në Serbi”, tha zoti Bezmareviq.

Zoti Bezmareviq poashtu tha se “kemi pasur shembuj të punësimit të parukierëve si infermiere”.

Profesoresha e njohur universitare, Branka Boshnjak tha se shteti duhet të mbrohet nga ky problem.

“Thelbi i gjithçkaje është partitokracia. Çdo pozicion në arsim e përcakton partia ku edhe gjysma e bordit të administrimit i ka blerë diplomat”, tha zonja Boshnjak.

Sipas Goran Daniloviqit, drejtor për kontrollin e cilësisë në arsim të lartë, diplomat e rreme janë një problem i vazhdueshëm, aspak i ri, por i vjetër sa demokracia në Mal të Zi.

“Është një grup kriminal i organizuar mirë që kap përmasa të mëdha në Mal të Zi dhe janë të lidhur edhe në rajon. Ata me diploma false nuk aplikojnë në subjekte private, por në ato publike”, tha zoti Daniloviq.

Kohëve të fundit në Mal të Zi janë ngritur disa kallëzime penale kundër dhjetëra personave nën dyshimin për falsifikimin e diplomave të punonjësve të shëndetësisë.

Ekspertët besojnë se për shkak të diplomave false është i nevojshëm bashkëpunimi i autoriteteve gjyqësore të Malit të Zi me prokuroritë dhe institucionet arsimore të rajonit si dhe nevojën e rishikimit të të gjitha diplomave të çertifikuara në periudhën që nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006.

XS
SM
MD
LG