Rritja e numrit të migrantëve, që ndërmarrin udhëtimin e vështirë nga Afrika Perëndimore drejt ishujve Kanarie të Spanjës e ka vështirësuar punën e autoriteteve lokale. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se shumë fëmijë migrantë po klasifikohen gabimisht si të rritur nga policia spanjolle, duke i vënë ata në rrezik. Më shumë se 32 mijë migrantë nga Afrika Perëndimore kanë mbërritur gjatë këtij viti në ishujt Kanarie, shifra më e lartë që nga viti 2006.
15-vjeçari Moussa Camara është nga Guinea. Ai mbeti jetim pas trazirave të shkaktuara nga një grushti shteti në vendin e tij.
Në kërkim të një jete më të mirë, ai së bashku me 240 migrantë të tjerë udhëtuan 15 ditë me varkë druri në det, nga Senegali drejt ishullit spanjoll Tenerife. Ai thotë se 20 persona vdiqën në udhëtimin e vështirë dhe se gjysmën e kohës nuk kishte ushqime apo ujë.
Kur ai mbërriti më 27 tetor, autoritetet spanjolle e klasifikuan djaloshin Camara dhe mikun e tij si të rritur dhe jo si fëmijë.
“Në qendrën e përpunimit ne thamë se ishim 15 vjeçarë por ata nuk e shënuan dhe na morën sikur ishim të rritur. Na sollën këtu por ne jemi fëmijë, ata gabuan”, thotë Moussa Camara, fëmijë i pashoqëruar nga Guinea.
Policia i dërgoi dy djemtë në një bazë të vjetër ushtarake në malet e Tenerife, ku rreth 2000 migrantë të rritur presin transferimin në Spanjën kontinentale.
Organizata Amnesty International gjeti se 12 nga 29 migrantët që intervistuan në ishuj ishin fëmijë të klasifikuar gabimisht si të rritur.
“Biseduam me një vajzë 17-vjeçare e cila u mbajt për tre ditë në një vend me burra dhe gra pa asnjë mbikëqyrje nga autoritetet. Ajo flinte në dysheme”, thotë Virginia Alvarez me organizatën Amnesty Internationa.
Testimi i kockës, i cili merr disa muaj, kërkohet për vërtetimin e moshës së një migranti.
Fëmijëve migrantë u jepet mbështetje shtesë për të gjetur strehë banimi dhe arsim deri sa të mbushin 18 vjeç. Por nëse klasifikohen si të rritur, ndihma për ta nga qeveria është e vogël.
Amnesty International thotë se sipas ligjit spanjoll, trajtimi i fëmijëve migrantë si të rritur është i paligjshëm dhe ata mund të përballen me padrejtësi.
“Nëse trajtohen si të rritur, ata mund të dëbohen në vendet e tyre të origjinës”, thotë Virginia Alvarez me organizatën Amnesty International.
Më shumë se 32 mijë migrantë nga Afrika Perëndimore kanë mbërritur gjatë këtij viti në ishujt Kanarie, shifra më e lartë që nga viti 2006. Autoritetet lokale thonë se qeveria spanjolle nuk po ndihmon sa duhet.
“Na kanë lënë me 4700 të mitur dhe organizata joqeveritare pa kapacitete të mjaftueshme. Kemi vështirësi sepse klasifikimi sipas moshës merr të paktën tre deri katër muaj. Kemi të rritur në qendrat e të miturve dhe të mitur në qendrat e të rriturve”, thotë Fernando Clavijo, drejtues i qeverisë rajonale në ishujt Kanarie.
Organizata Amnesty International po i bën thirrje Spanjës dhe Bashkimit Evropian që të sigurohen që fëmijët migrantë të përpunohen siç duhet si dhe të ofrojnë rrugë më të sigurta për refugjatët.
Qeveria spanjolle thotë se po shqyrton rastet e dyshuara për të miturit që strehohen në kampet për migrantët e rritur.