Lidhje

Luftimet vazhdojnë në Lindjen e Mesme ndërsa shtyhet armëpushimi


Izraeli njoftoi se armëpushimi i përkohshëm në luftën kundër Hamasit që ishte parashikuar të fillonte mëngjesin e të enjtes u shty për të premten. Katari, një nga ndëmjetësit e marrëveshjes tha se pauza në luftime do të fillojë të premten në mëngjes dhe pengjet e para do të lirohen të premten pasdite. Ndërkohë sulmet e dyanshme vazhduan, ndërsa familjet palestineze dhe ato izraelite që prisnin rikthimin e disa prej pengjeve sot u shprehën të zhgënjyer me vazhdimin e luftimeve. Ndërkaq, disa udhëheqës evropianë vizituan sot Izraelin, ndërsa vazhdojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

Luftimet vazhdojnë në Lindjen e Mesme ndërsa shtyhet armëpushimi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00


Lufta vazhdoi në Gazë të enjten pasi armëpushimi i përkohshëm i propozuar dhe lirimi i pengjeve u shty për të paktën një ditë tjetër.

Ushtria izraelite tha se kishte nisur 300 sulme ajrore gjatë të mërkurës dhe sirenat paralajmëruan për lëshime raketash ndërkufitare nga grupet e armatosura palestineze.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, vizitoi të enjten Izraelin.

Kryediplomati britanik u shpreh në mbështetje të ndalimit të luftimeve dhe futjen e ndihmave në Gazë për civilët palestinezë.

I veshur me një xhaketë anti-plumb, ai u filmua së bashku me homologun izraelit Eli Cohen duke ecur mbi mbeturinat e një shtëpie që u dogj gjatë luftimeve muajin e kaluar.

Ndërsa vizitonte lagjen Be’eri, një nga komunitetet më të goditura gjatë sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, zoti Cameron tha se vendosi të vizitojë pjesën jugore të Izraelit sepse nuk duhet harruar tmerri që civilët izraelitë përjetuan gjatë sulmit të Hamasit.

“Doja të vija vetë këtu për të parë tmerrin e sulmeve që pësuan izraelitët më 7 tetor dhe ato janë absolutisht të tmerrshme. Prindërit u qëlluan para fëmijëve të tyre, fëmijët u qëlluan para prindërve. Kam dëgjuar gjëra dhe kam parë gjëra që padyshim nuk do t'i harroj kurrë dhe është e rëndësishme që ta kuptojmë këtë”, thotë zoti Cameron.

Në Jeruzalem qëndruan kryeministrat e Spanjës, Pedro Sanchez dhe ai i Belgjikës, Alexander De Croo. Gjatë takimit me Kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu, kryeministri spanjoll sugjeroi mbajtjen e një konferenceje të paqes për Lindjen e Mesme. Sipas tij, kjo ide ka mbështetjen e Bashkimit Evropian, Lidhjes së Shteteve Arabe dhe Organizatës për Bashkëpunim Islamik.

Ndërsa luftimet dhe përpjekjet politike për ndalimin e tyre vazhdojnë, civilët nga të dyja anët shprehën të lodhur nga situata.

Në një kamp për palestinezët e zhvendosur në Khan Younis në jug të Gazës, Omar al-Salawat kishte shpresuar se një armëpushim mund të bënte të mundur që familja e tij të kthehej në shtëpinë e vet.

“Sa herë që përgatitemi për armëpushimin na duket sikur shpirti na ringjallet. Ne duam të largohemi, kjo nuk është një jetë. Papritmas e shohim veten duke kaluar gjithë jetën në një tendë, është një jetë e lodhshme, situata vazhdon të përkeqësohet”, thotë palestinezi i zhvendosur, Omar al-Salawat.

Familjet e izraelitëve që janë marrë peng nga Hamasi thonë se ende i mban shpresa që të dashurit e tyre do të kthehen shëndoshë e mirë ndonëse rikthimi i tyre u shtyu. Disa prej tyre janë tërësisht të zhgënjyer pasi thonë që organizata ndërkombëtare si Kryi i Kuq janë të njanshme pasi ndihmojnë vetëm palestinezët.

“Kryqi i Kuq ndërkombëtar është turpi më i madh për botën. Ai thotë se bën punë humanitare, por pse e bën këtë vetëm për njërën anë? Po unë si baba që rri këtu dhe vuan? Një baba që nuk e di se si është gjendja shëndetësore e djalit të tij? Kryqi i Kuq nuk shkon t'i shohë si janë”, thotë Dani Miran, babai i 46 vjeçarit Omri që dyshohet se mbahet peng nga Hamasi.

Lufta në Lindje të Mesme filloi pasi militantët e Hamasit vranë 1200 izrealitë më 7 tetor dhe dyshohet se morën peng rreth 240 të tjerë.

Izraeli filloi sulmet ajrore dhe më pas edhe një ofensivë tokësore me qëllimin e shkatërrimit të aftësive ushtarake të Hamasit në Gazë. Të dhënat e Hamasit janë se gjatë kësaj lufte janë vrarë të paktën mbi 11 mijë palestinezë, një pjesë e madhe e të cilëve janë gra dhe fëmijë.

XS
SM
MD
LG