Lidhje

Sam Altman rikthehet në postin e drejtuesit të ‘OpenAI’


Udhëheqësi i përjashtuar i ‘OpenAI’, krijuesit të platformës së Inteligjencës Artificiale “ChatGPT” është rikthyer në kompaninë, që e shkarkoi atë në fund të javës së kaluar, duke arritur kulmin e një lufte disaditore për pushtet, që tronditi industrinë e teknologjisë dhe solli vëmendjen në konfliktet rreth asaj se si të ndërtohet Inteligjenca Artificiale në mënyrë të sigurt.

“OpenAI” me bazë në San Francisko tha në një postim në rrjetin social X të martën vonë: “Ne kemi arritur një marrëveshje në parim që Sam Altman të kthehet në OpenAI si Shef Ekzekutiv me një bord të ri fillestar”.

Bordi, i cili zëvendëson atë që shkarkoi zotin Altman të premten, do të udhëhiqet nga ish-bashkëdrejtori i ‘Salesforce’, Bret Taylor, i cili gjithashtu kryesoi bordin e rrjetit social ‘Twitter’ përpara blerjes së tij nga Elon Musk vitin e kaluar. Anëtarët e tjerë t këtij bordi do të jenë ish-sekretari amerikan i Thesarit, Larry Summers dhe Shefi Ekzekutiv i faqes së internetit ‘Quora’, Adam D'Angelo.

Bordi i mëparshëm i drejtorëve të ‘OpenAI’, i cili përfshinte zotin D'Angelo, kishte refuzuar të jepte arsye të qarta përse e shkarkoi zotin Altman, duke çuar në një fundjavë konflikti të brendshëm në kompani dhe në rritje të presionit të jashtëm nga investitorët e organizatës.

Kaosi theksoi gjithashtu dallimet midis zotit Altman – i cili është bërë fytyra e komercializimit të shpejtë të Inteligjencës Artificiale që nga futja në përdorim e ‘ChatGPT’ një vit më parë – dhe anëtarëve të bordit të kompanisë, që kanë shprehur rezerva të thella në lidhje me rreziqet për sigurinë, që paraqet Inteligjenca Artificiale ndërsa vazhdon avancimin.

Firma ‘Microsoft’, që ka investuar miliarda dollarë në ‘OpenAI’ dhe ka pronësi mbi teknologjinë e saj, lëvizi me shpejtësi duke njoftuar për punësimin e zotin Altman të hënën, si dhe një tjetër bashkëthemelues dhe ish-presidentin e kompanisë, Greg Brockman, i cili dha dorëheqje në shenjë proteste pas largimit të zotit Altman. Kjo nxiti gjithashtu pothuajse të gjithë personelin prej 770 punonjësve të kompanisë të kërcënonte me dorëheqje, të cilët nënshkruan një letër që kërkonte dorëheqjen e bordit dhe kthimin e zotit Altman.

Një nga katër anëtarët e bordit që morën pjesë në largimin e zotit Altman, bashkëthemeluesi dhe shkencëtari kryesor i ‘OpenAI’, Ilya Sutskever, më vonë shprehu keqardhje dhe iu bashkua thirrjes për dorëheqjen e bordit.

Firma ‘Microsoft’ ditët e fundit ishte zotuar të punësojë të gjithë punonjësit që dëshironin të ndiqnin zotin Altman dhe zotin Brockman në një njësi të re kërkimore të Inteligjencës Artificiale në gjigantin amerikan të teknologjisë. Shefi Ekzekutiv i firmës ‘Microsoft’, Satya Nadella, gjithashtu e bëri të qartë në disa intervista këtë javë se ai ishte ende i hapur ndaj mundësisë së kthimit të zotit Altman në ‘OpenAI’, për sa kohë që zgjidhen problemet e qeverisjes së organizatës që themeloi platformën “ChatGPT”.

“Ne jemi të inkurajuar nga ndryshimet në bordin e ‘OpenAI’”, shkroi zoti Nadella në rrjetin social X të martën vonë. “Ne besojmë se ky është një hap i parë thelbësor në një rrugë drejt një qeverisjeje më të qëndrueshme, të mirëinformuar dhe efektive.”

Zoti Altman ndërkaq shkroi në X se “me bordin e ri dhe mbështetjen e zotit Nadella, mezi pres të kthehem në ‘OpenAI’ dhe të ndërtoj partneritetin tonë të fortë me firmën Microsoft”.

E bashkë-themeluar nga Sam Altman si një organizatë jofitimprurëse me misionin për të ndërtuar në mënyrë të sigurt të ashtuquajturën inteligjencë të përgjithshme artificiale, që tejkalon aftësitë e njerëzimit, por me qëllim që njerëzimi të përfitojë nga kjo, ‘OpenAI’ më vonë u bë një biznes fitimprurës, por ende i drejtuar nga bordi i tij jofitimprurës i drejtorëve. Nuk është ende e qartë nëse struktura e bordit do të ndryshojë me anëtarët e sapoemëruar.

“Ne po bashkëpunojmë për të sqaruar detajet”, ishte postimi i publikuar nga llogaria e ‘OpenAI’ në rrjetin social X. “Faleminderit shumë për durimin tuaj ndërsa tejkalojmë këtë situatë”.

Zoti Nadella tha se zoti Brockman, i cili ishte kryetar i bordit të ‘OpenAI’ deri në shkarkimin e udhëheqësit Sam Altman, do të ketë gjithashtu një rol kyç për të luajtur për të siguruar që grupi “të vazhdojë të përparojë dhe ta vazhdojë me sukses misionin e tij”.

Disa orë më parë, zoti Brockman u kthye në rrjetet sociale sikur të mos kishte ndodhur gjë, duke promovuar një veçori të quajtur ‘ChatGPT Voice’ që po shpërndahej për përdoruesit.

“Provojeni – kjo ndryshon plotësisht përvojën me ChatGPT”, shkroi zoti Brockman, nga llogaria kryesore e ‘OpenAI’ në rrjetin social X duke ofruar një demonstrim të teknologjisë së re ndërsa në mënyrë jo të drejtpërdrejt duket sikur tallet me zhvillimet e fundit në kompani.

“Ka qenë një natë e gjatë për ekipin dhe ne jemi të uritur. Sa pica familjare duhet të porosis për 778 persona”, shkroi ai duke përmendur numrin e njerëzve që punojnë në ‘OpenAI’. Programi ‘ChatGPT’ u përgjigj duke rekomanduar rreth 195 pica, në mënyrë që secili punonjës të marrë nga tre copa të një pice.

Shefi i përkohshëm dhe jetëshkurtër Ekzekutiv i ‘OpenAI’, Emmett Shear, i dyti shef i përkohshëm në ditët pas rrëzimit të zotit Altman, shkroi në X se ishte “thellësisht i kënaqur nga ky rezultat, pas 72 orëve shumë intensive të punës”.

“Duke hyrë në ‘OpenAI’, nuk isha i sigurt se cila do të ishte rruga e duhur,” shkroi zoti Shear, i cili dikur ishte Drejtor i kompanisë ‘Twitch’. “Kjo ishte rruga që rriti sigurinë krahas veprimit të duhur nga të gjitha palët e përfshira në këtë proces. Jam i lumtur që kam qenë pjesë e zgjidhjes.”

XS
SM
MD
LG