Një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Katari mes Izraelit dhe Hamasit që parashikon lirimin e pengjeve dhe një pauzë disaditore të luftimeve është në "fazat e saj përfundimtare" dhe "më pranë se kurrë". Lajmi është konfirmuar nga burime të paidentifikuara për mediat amerikane. Izraeli nuk ka bërë ende komente mbi këtë çështje, por Kryeministri Netanjahu tha se "në dritën e këtyre zhvillime, do të mblidhte kabinetin e luftës”.
Burimet thane se marrëveshja do të mundësonte lirimin e rreth 50 pengjeve civile që mbahen nga Hamasi kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe lirimin e grave dhe fëmijëve palestinezë nga institucionet e paraburgimit izraelite, numri i të cilëve nuk është bërë i ditur.
Gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit ndaj Izraelit, Hamasi mori rreth 240 persona peng si dhe vrau 1200 të tjerë, pjesa më e madhe civilë.
Më herët të martën shefi i Hamasit tha se grupi militant palestinez ishte pranë një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin.
Përgjithësisht Izraeli i ka shmangur komentet mbi statusin e bisedimeve të udhëhequra nga Katari. Sot Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se po bëhet përparim në lirimin e pengjeve.
“Aktualisht jemi duke u perqendruar në një mbrojtje shumë të fortë dhe proaktive në veri për të arritur një fitore dërrmuese në jug. Qëllimi i parë eshte eliminimi i Hamasit qe nuk ndalet derisa të realizohet. Qëllimi i dytë, kthimi i pengjeve dhe po bëjmë përparim. Nuk besoj se ia vlen te thuash shume as ne kete moment por shpresoj te kete lajme te mira se shpejti”.
Mes bisedime për një marrëveshje të mundshme sulmet e përgjakshme në Gazë vazhdojnë dhe grupi militant vazhdon të lëshojë raketa në drejtim të Izraelit.
Pas Al Shifës, Izraeli sulmoi të hënën një tjetër spital në Gazë, atë që njihet si Spitali Indonezian. Zëri i Amerikës pyeti Shtëpinë e Bardhë lidhur me sulmet ndaj spitaleve.
“Ne nuk duam që spitalet te shndërrohen në sheshe beteje. Por kemi thënë gjithashtu, se kemi informacion që vërteton pohimet e Izraelit se Hamasi e ka përdorur spitalin Al Shifa si një pikë komandimi, por nuk kam ndonjë informacion zbulimi mbi Spitalin Indonezian”, tha Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby.
Zotit Kirby shtoi se ai është në dijeni të faktit se spitalet janë plot me pacientë të sëmurë të cilët e kanë të pamundur të largohen si dhe me mjekë dhe infermierë që po kujdesen për ta. Problemi sipas tij qëndron tek fakti se Izraelit i duhet të krijojë nje balancë mes këtij realiteti dhe faktit se Hamasi po i përdor spitalet si mburoja për luftëtarët e tij.
Zëri i Amerikës bisedoi me kryetarin e organizatës MER-C në Xhakartë, organizatë e cila ndërtoi Spitalin Indonezian në Gazë.
“Ata sulmuan katin e tretë. Qendra e kujdesit intensiv ishte në kaos kishte shumë viktima, më shumë se 700 të plagosur rëndë, 12 të vdekur, mes të cilëve dy mjekë, një kirurg, nëse nuk gaboj”, tha Dr. Sarbini Abdul Murad, Kryetar i MER-C.
Presidenti Joe Biden ka thënë se pas përfundimit të luftës, Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor duhet të drejtohen nga Autoriteti Palestinez dhe jo nga Hamasi, i cili është cilësuar si grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara.
Brian Katulis, ekspert në Institutin për Lindjen e Mesme tha për Zërin e Amerikës se idetë e Presidentit Biden janë te rëndësishme, por nuk ka konsensus për momentin në rajon apo edhe mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, rreth asaj që pritet të ndodhë "me përfundimin e luftës".
"Shtetet e Bashkuara thonë gjithashtu se mund të ketë një lloj force rajonale arabe, e cila do të ndihmonte policinë e Gazës për një periudhë kohore, por shumica e ministrave të jashtëm arabë, përfshirë ministrin e jashtëm të Jordanisë, e kanë hedhur poshtë një gjë të tillë. Pra ka shumë punë për të bërë, si për krizën afatshkurtër të pengjeve dhe dhunën që vazhdon, por edhe për vizionin afatgjatë se si do të dukej një shtet përfundimtar i qëndrueshëm”.
Presidenti Biden është vënë nën qendër të kritikave në rritje si brenda ashtu edhe jashtë vendit lidhur me mbështetjen për Izraelin, mes një numri në rritje të vdekjeve mes popullatës civile palestinezë, gjë që ka shkaktuar zemërim dhe dëshpërim. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës e cila drejtohet nga Hamasi, më shumë se 13 mijë palestinezë janë vrarë nga Izraeli, që nga fillimi i luftës muajin e kaluar.