Lidhje

Stoltenberg: Grumbullimi i forcave serbe në kufi me Kosovën nuk e ndihmon situatën


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të martën në Beograd se grumbullimi i forcave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën nuk e ndihmon situatën e tensionuar ndërmjet dy vendeve.

Ai i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, në kuadër të një vizite në rajon, mes shqetësimeve të shtuara perëndimore rreth ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

“I bëj thirrje të gjitha palëve që të ulin tensionet dhe të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese. Siç i thashë presidentit Vuçiç gjatë takimit tonë, grumbullimi i forcave ushtarake serbe pranë vijës kufitare administrative nuk e ndihmon situatën”, tha ai.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se ushtria serbe i përmbush detyrimet e saj në mënyrë profesionale dhe se asnjëherë nuk i ka tejkaluar detyrat e saja.

“Ku dhe si do ta bëjmë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe ligjet e këtij vendi dhe pa rrezikuar askënd në asnjë mënyrë, ku do ta dërgojmë ushtrinë, kjo është puna jonë”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Zoti Stoltenberg tha se përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit më veri të Kosovës duhet të përballen me drejtësinë, sikurse edhe autorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it me 29 maj, duke theksuar se e mirëpret faktin që Serbia është treguar e gatshme për të bashkëpunuar në këto përpjekje.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin e 24 shtatorit të cilin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë. Por, Beogradi mohon çfarëdo lidhjeje me sulmin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, theksoi sërish sot se palët duhet të zgjedhin diplomacinë në vend të dhunës.

“Mirëpres propozimet e fundit të Bashkimit Evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky do të ishte një hap thelbësor drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe i bëj thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, që është rruga e vetme drejt paqes afatgjate dhe të qëndrueshme”, tha zoti Stoltenberg.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, duke i kërkuar Prishtinës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ndërsa Beogradit njohjen de fakto të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin për statutin, që u paraqit nga diplomatët perëndimr muajin e kaluar, ndërsa akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se refuzoi të nënshkruante.

Presidenti serb tha të martën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të formohet derisa të jetë në pushtet Albin Kurti.

“Do të kërkojnë vetëm justifikime, njëherë do të thotë se duhet nënshkrimi im, pastaj diçka tjetër dhe kurrfarë Asociacioni ata nuk do ta formojnë, as atë që na heqin një pjesë të autoritetit që janë nënshkruar në vitin 2013 dhe 2015. Por e di që forcat kryesore perëndimore do të mbrojnë gjithmonë fëmijët e tyre dhe ne serbët do të vazhdojmë të flasim”, tha ai duke nënvizuar se Serbia po bën gjithçka për të arritur një zgjidhje kompromisi në dialog.

Themelimi i Asociacionit është detyrim i përfshirë në marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit që u arrit më herët gjatë kërtij viti dhe e cila synonte të ulte tensionet ndërmjet palëve, të cilat që atëherë u përkeqësuan duke arritur një pikë të lartë në fund të muajit shtator pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.

XS
SM
MD
LG