Lidhje

Ukrainë, dy të vrarë dhe 12 të plagosur nga bombardimet ruse


Bombardimet ruse vranë dy persona dhe plagosën të paktën 12 të tjerë në zona të ndryshme të rajonit Kherson në pjesën jugore të Ukrainës, thanë të enjten zyrtarët lokalë.

Guvernatori rajonal Oleksandr Prokudin tha se një grua 75-vjeçare kishte vdekur në banesën e saj në Kherson, qyteti më i madh i rajonit, ndërsa forcat ruse bombarduan nga bregu lindor i lumit Dnipro, të kontrolluar prej tyre. Tetë persona pësuan lëndime, shkroi ai në rrjetin Telegram.

Më herët, guvernatori njoftoi për një sulm në fshatin Bilozerka në bregun perëndimor të lumit Dnipro. Trupi i një burri u gjet nën rrënoja ndërsa një burrë dhe tre gra po trajtoheshin në spital, njoftoi ai.

“Është shkatërruar gjithashtu një objekt kritik i infrastrukturës. Tani Bilozerka dhe fshatrat përreth janë pa energji elektrike”, tha zoti Prokudin në Telegram. Ai shtoi se ishte dëmtuar një dyqan ushqimesh dhe një shtëpi. Agjencia e lajmeve Reuters nuk mund të konfirmojë në mënyrë të pavarur njoftimet.

Në fund të vitit të kaluar trupat ruse e braktisën Kherson-in dhe bregun perëndimor të lumit Dnipro. Por tani, trupat ruse të vendosura në bregun lindor të lumit ndërmarrin bombardime të vazhdueshme ndaj këtyre zonave.

Zyrtarët ukrainas thanë këtë javë se forcat e tyre kishin kaluar lumin dhe po vepronin në bregun lindor.

XS
SM
MD
LG