Lidhje

Sanksionet e reja amerikane kundër Hamasit, vënë në shënjestër transferimin e parave nga Irani në Gazë


Departamenti i Thesarit/AP
Departamenti i Thesarit/AP

Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën se kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të Hamasit dhe pjesëtarëve të grupit Xhihadi Islamik Palestinez që merren me transferimin e parave nga Irani për në Gazë, si dhe një shërbimi libanez që bën transferim parash.

Sanksionet e njoftuara nga departamenti i Thesarit, të bashkërenduara me Britaninë e Madhe, janë si kundërpërgjigje ndaj sulmit të befasishëm të Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit, që la të paktën 1200 të vdekur ose të rrëmbyer. Sanksionet i ndalojnë qasjen individëve e kompanive në prona dhe llogari bankare amerikane dhe ua ndalojnë të punojnë me shtetasit amerikanë.

Ky raund sanksionesh dhe ato të mëparshmit kundër Hamasit dhe grupeve të lidhura me të, kanë për qëllim të parandalojnë përdorimin e sistemit ndërkombëtar financiar nga militantët e Hamasit dhe bashkëpunëtorët e tyre, sipas Departamentit të Thesarit.

Departamenti i Shtetit po ashtu vendosi në listën e sanksioneve diplomatike drejtuesin ushtarak të grupit “Xhihadi Islamik Palestinez”.

Në një deklaratë të dërguar me email, Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha se “së bashku me partnerët tanë po veprojmë me vendosmëri për ta dëmtuar infrastrukturën financiare të Hamasit, për t’u ndërprerë financimin nga jashtë dhe bllokuar burime të reja për financimin e veprimeve të tyre të tmerrshme.”

Sekretari i shtetit Antony Blinken tha se “do të vazhdojmë të punojmë me partnerët dhe aleatët tanë për t’ia ndërprerë Hamasit kanalet për financimin e terrorizmit.”

Shtëpia e Bardhë tha se deri tani nuk ka gjetur informacion që Irani, sponsori kryesor financiar dhe ushtarak i Hamasit, të ishte drejtpërdrejt i përfshirë në operacionin e Hamasit kundër Izraelit.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara ndërmorën gjatë dy javëve të fundit tre sulme ndaj depove të armatimit të lidhura me Iranin brenda Sirisë për t’u hakmarrë ndaj mbi 50 sulmeve me raketa dhe dronë të grupeve militante ndaj bazave amerikane në Irak dhe Siri që nga 7 tetori, gjatë të cilave disa amerikanë janë lënduar lehtë.

Presidenti Joe Biden dhe zyrtarë të tjerë të administratës së tij kanë vizituar Lindjen e Mesme për të treguar përkrahjen e tyre për Izraelin dhe janë përpjekur të zbusin tensionet në luftën që po përshkallëzohet ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Por këto përpjekje nuk kanë arritur ndonjë përparim.

Mbi 11,000 palestinezë, prej të cilëve dy të tretat gra dhe fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës të kontrolluar nga Hamasi, e cila nuk bën dallim midis civilëve të vrarë dhe militantëve.

Sekretari i jashtëm britanik David Cameron tha se “palestinezët janë gjithashtu viktima të Hamasit. Solidarizohemi me ta dhe do të vazhdojmë të mbështesim pauzat humanitare që mundësojnë depërtimin e ndihmës jetike në Gazë.”

Britania e Madhe të martën po ashtu vuri sanksione ndaj katër drejtuesve të lartë të Hamasit dhe dy financuesve të organizatës.

Drejtuesi i krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif tha se sulmi i 7 tetorit ishte kundërpërgjigje ndaj bllokadës 16 vjeçare të Gazës, sulmeve izraelite në qytetet e Bregut Perëndimor gjatë vitit të fundit, sulmeve të shpeshta të kolonëve ndaj palestinezëve dhe shtimin e vendbanimeve të tyre, ndër arsyet e tjera.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, që shpalli gjendje lufte në Izrael, tha se ushtria e tij do të përdorte tërë fuqinë e vet për të shkatërruar aftësitë e Hamasit. “Të gjitha vendet ku fshihet Hamasi, nga të cilat vepron,” tha ai, “do t’i shndërrojmë në gërmadha”.

XS
SM
MD
LG