Një oficer i ushtrisë ukrainase dyshohet se ka organizuar sulmin e vitit të kaluar ndaj tubacionit të gazit natyror Nord Stream, sipas gazetës Washington Post, e cila ka cituar burime anonime në Ukrainë dhe Evropë.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet e shtatorit 2022, në ishullin danez të Bornholmit, që dëmtuan tre nga katër tubacionet nën Detin Baltik, që përdoreshin për tranportin e gazit natyror rus në Evropë.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO e kanë konsideruar shpërthimin një akt sabotimi, ndërsa Moska ka thënë se sulmi ishte një akt terrorizmi ndërkombëtar.
Gjermania, Danimarka dhe Suedia kanë nisur hetimet për shpërthimin në tubacionin “Nord Stream”, që çliroi shtëllunga metani në atmosferë për disa ditë me radhë.
Roman Chervinsky, një kolonel i dekoruar 48-vjeçar që shërbeu në forcat e operacioneve speciale të Ukrainës, ishte "organizator" i operacionit Nord Stream, sipas njerëzve të njohur me rolin e tij, raportoi të shtunën gazeta Washington Post.
Kolonel Chervinsky, thonë burimet, menaxhoi logjistikën dhe mbështetjen për një ekip prej gjashtë personash që mori me qira një varkë me identitete të rreme dhe përdori pajisje zhytjeje për të transportuar mjetet shpërthyese që dëmtuan tubacionet e gazit, thuhet në shkrimin e gazetës Washington Post.
Më 26 shtator 2022, tre shpërthime shkaktuan rrjedhje masive të gazit natyror në tubacionet “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2”. Sulmi la të paprekur vetëm një nga katër tabacionet e gazit në rrjet.
Një zëdhënës i ushtrisë së Ukrainës tha për agjencinë e lajmeve Reuters se nuk kishte "asnjë informacion" lidhur me akuzat. Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe shërbimi i brendshëm i sigurisë së Kievit, SBU, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Gazeta gjithashtu raportoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili ka mohuar rolin e Kievit në këtë incident, nuk ka qenë në dijeni të operacionit. Presidenti Zelenskyy zëvendësoi javën e kaluar kreun e forcave të operacioneve speciale të Ukrainës.
Zoti Chervinsky mohoi çdo përfshirje në shpërthimet e tubacionit. Një kritik i hapur i administratës së Presidentit Zelenskyy, ai tha se rasti kundër tij është i motivuar politikisht.
“Të gjitha spekulimet për përfshirjen time në sulmin ndaj tubacionit “Nord Stream” po përhapen nga propaganda ruse, pa asnjë bazë”, tha zoti Chervinsky në një deklaratë me shkrim për gazetën amerikane Washington Post dhe atë gjermane Der Spiegel, të cilat kryen një hetim të përbashkët për rolin e tij.
Zoti Chervinsky aktualisht po mbahet nën arrest lidhur me dyshimet për përpjekje për të bindur një pilot rus në vitin 2022 që të dezertonte në Ukrainë, gjë që hetuesit thonë se çoi në një sulm vdekjeprurës rus në një bazë ajrore ukrainase
Ndonëse ai akuzohet se ka vepruar i vetëm në këtë akt, komandanti i tij në atë kohë, gjeneralmajor Viktor Hanushchak, tha për mediat ukrainase në fillim të këtij viti se udhëheqja e lartë ushtarake e kishte miratuar komplotin për të joshur pilotin rus.
Ndërkohë, tre ushtarë rusë u vranë të shtunën në një shpërthim në Melitopol, një qytet i pushtuar nga Rusia, tha shërbimi ukrainas i zbulimit. "Ky akt hakmarrjeje, i kryer nga luftëtarë të rezistencës", thuhet në një deklaratë të drejtorisë, "pati në shënjestër tre zyra të postës, të pushtuara së fundmi nga rusët".
Agjencia e lajmeve Reuters tha se forcat ruse nuk kanë bërë ndonjë deklaratë për incidentin dhe nuk është në gjendje të verifikojë njoftimin e zyrtarëve ukrainas mbi këtë incident.
Presidenti Zelenskyy paralajmëroi ukrainasit të dielën, që të përgatiten për valë të reja sulmesh ruse ndaj infrastrukturës së Ukrainës me afrimin e dimrit
“Ne jemi gati në mes të nëntorit dhe duhet të përgatitemi për mundësinë e rritjes së sulmeve të armikut me dronë ose raketa ndaj infrastrukturës sonë”, tha Presidenti Zelenskyy, duke shtuar se trupat ukrainase presin shtim të sulmeve në frontin lindor të luftës.
Paralajmërimi i tij vjen një ditë pasi Rusia rifilloi sulmet me raketa ndaj Kievit.
Ministri ukrainas e Enegjisë, German Galushchenko, tha të shtunën vonë se vendi ka burime të mjaftueshme energjetike për të kaluar dimrin e ardhshëm, por një rritje e pritshme e sulmeve ruse mund të dëmtojë rrjetet e furnizimit me energji.
Një zëdhënës ushtarak tha se sulmet ruse në qytetin lindor Avdiivka ishin lehtësuar në 24 orët e fundit, por ka të ngjarë të intensifikohen në ditët e ardhshme.
Një numër i madh i anëtarëve të grupit mercenar Wagner "ka gjasa" të jenë përfshirë në strukturën komanduese të Gardës Kombëtare të Rusisë (Rosgvardiya), tha të dielën ministria britanike e mbrojtjes në raportin e saj të përditshëm mbi gjendjen në Ukrainë.
Ky grup i ri "ka gjasa" të udhëhiqet nga Pavel Prigozhin, djali i të ndjerit Yevgeny Prigozhin, i cili drejtoi mercenarët e Wagnerit përpara vdekjes së tij në një aksident avioni, disa javë pas organizimit të një rebelimi kundër Moskës.
Raporti i qeverisë britanike thotë se luftëtarë të tjerë të grupit Wagner dhe personeli mjekësor i tyre u janë bashkuar forcave speciale çeçene.
Rusia tani "po ushtron kontroll më të drejtpërdrejtë" mbi aktivitetet e Grupit Wagner, tha ministria britanike e mbrojtjes.
Koalicioni qeverisës i kancelarit gjerman Olaf Scholz ka rënë dakord në parim të dyfishojë ndihmën ushtarake të vendit për Ukrainën vitin e ardhshëm në 8 miliardë euro, tha të dielën një burim politik në Berlin.
Nëse miratohet nga parlamenti, ku partitë e kancelarit Scholz kanë shumicën, kjo do të rriste shpenzimet e mbrojtjes të Gjermanisë në shkallën 2.1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, duke e kaluar objektivin e shkallës 2 për qind të vendosur për të gjitha vendet anëtare të NATO-s.
Propozimi i Berlinit vjen mes hezitimit nga shumë vende të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Gjermaninë, për dhënien e ndihmës ushtarake afatgjatë deri në 5 miliardë dollarë në vit për katër vjet, si pjesë e angazhimeve më të gjera të sigurisë nga vendet perëndimore për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës.
Bashkimi Evropian po përballet me sfida për të përmbushur edhe objektivin e furnizimit të Kievit me 1 milion predha artilerie dhe raketa deri në mars të vitit të ardhshëm.
Një pjesë e të dhënave për këtë artikull është marrë nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe Agence France-Presse, si dhe gazeta Washington Post.