Lidhje

Ish-kryeministri britanik Cameron, rikthehet në qeveri si shef i diplomacisë


Kryeministri britanik Rishi Sunak riktheu të hënën në detyrën e ministrit të jashtëm, ish-Kryeministrin David Cameron, në një riorganizim të beftë të qeverisë, nxitur nga shkarkimi i Ministres së Brendshme Suella Braverman.

Shkarkimi i kësaj të fundit erdhi pas botimit të një artikulli të paautorizuar, ku zonja Braverman, akuzonte policinë për "standarde të dyfishta" në trajtimin e protestave. Sipas saj, policia kishte qenë më e ashpër ndaj demonstruesve të krahut të djathtë dhe më e butë me marshuesit pro-palestinezë.

Këto zhvillime vijnë ndërsa partia e Kryeministrit Sunak renditet shumë pas Partisë Laburiste në sondazhet e kryera përpara zgjedhjeve të pritshme të vitit të ardhshëm.

Kthimi i zotit Cameron pas 7 vitesh jashtë politikës, sugjeron se zoti Sunak po kërkon të sjellë në qeveri përfaqësues të qendrës dhe me përvojë, e jo të qetësojë pjesën konservatore të partisë së tij, që mbështet zonjën Braverman.

Nën kritikat e ligjvënësve të opozitës dhe anëtarëve të Partisë Konservatore në pushtet për të dëbuar zonjën Braverman, zoti Sunak duket se bëri një riorganizim të planifikuar prej kohësh. Ai solli në qeveri aleatë e hoqi ata që ai mendonte se nuk po prodhonin rezultate.

Por rikthimi i zotit Cameron rizgjon debatin përçarës mbi daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Ish-kryeministri drejtonte fushatën për të qendruar brenda bllokut, çka shkaktoi zemërim në mesin e krahut më konservator të partisë së tij. Ai dha dorëheqjen pas rezultatit të referendumit të qershorit 2016, disa orë pasi britanikët votuan për shkëputjen nga blloku evropian.

Ndërsa largimi i zonjës Braverman nuk ishte surprizë, ishte emërimi i zotit Cameron që shkaktoi tronditje në Partinë Konservatore, për shkak të pakënaqësive të mëdha që kanë ndaj tij disa ligjvënës të krahut më konservator.

Në një mesazh në rrjetin social X zoti Cameron shprehej i kënaqur me detyrën e tij të re. Ai shtonte se megjithëse mund të mos ketë qenë dakord me disa vendime individuale të zotit Sunak, ai e sheh atë “si një kryeministër të fortë dhe të aftë, i cili po dëshmon një rol udhëheqës shembullor në një kohë të vështirë”.

Zyra e Kryeministrit Sunak njoftoi se Mbreti Charles kishte miratuar vendimin që zotit Cameron t’i jepet një vend në Dhomën e lartë të parlamentit, atë të Lordëve, duke i mundësuar rikthimin në qeveri, pavarësisht se nuk është anëtar i zgjedhur i parlamentit.

XS
SM
MD
LG