Rusia nisi një sulm me raketa ndaj kryeqytetit të Ukrainës Kiev dhe rajonin e afërt të shtunën për herë të parë pas disa javësh. Forcat ruse goditën gjithashtu lindjen dhe jugun e vendit me dronë, thanë zyrtarët ukrainas.
Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit, tha se forcat ruse kishin lëshuar një raketë balistike drejt kryeqytetit.
“Pas një pauze të gjatë prej 52 ditësh, armiku ka rifilluar sulmet ndaj Kievit”, shkruante zoti Popko në aplikacionin e mesazheve ‘Telegram’.
“Raketa nuk ia doli të mbërrinte në Kiev pasi sistemet e mbrojtjes ajrore e rrëzuan atë”, shkruante më tej ai.
Zoti Popko tha se nuk kishte viktima apo dëme të mëdha në kryeqytet.
Ruslan Kravchenko, guvernator rajonal për rajonin qendror të Kievit, tha se pesë shtëpi private dhe disa ndërtesa tregtare në zonë u dëmtuan. Ai tha se dy raketa ruse goditën një fushë midis vendbanimeve.
Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës rrëzuan gjithashtu 19 dronë të prodhimit iranian ‘Shahed’ nga 31 të lëshuar nga forcat ruse gjatë një sulmi të kryer gjatë natës në rajonet jugore dhe lindore, thanë forcat ajrore në një deklaratë.
Oleh Kiper, guvernatori rajonal i Odesës, tha se rajoni jugor u sulmua me raketa dhe dronë të premten në mbrëmje dhe gjatë natës. Sulmet plagosën tre persona dhe dëmtuan objektet e infrastrukturës portuale, tha ai pa dhënë detaje të mëtejshme.
Rusia ka intensifikuar bombardimet e saj ndaj porteve të Ukrainës, duke përfshirë Odesën. Po kështu është goditur dhe infrastruktura e depozimit të grurit që nga korriku kur Moska u tërhoq nga marrëveshja për eksportimin e drithërave përmes Detit të Zi, e cila mundësonte eksportimin e drithit Ukrainës drejt vendeve që kërcënohen nga uria.