Ndërsa forcat izraelite vazhdojnë operacionet në qytetin e Gazës, civilët palestinezë vazhduan të largohen nga pjesa veriore e Rripit të Gazës. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe diplomatët e lartë të Grupit të Shtatëshes dolën të mërkurën me një qëndrim të bashkuar për luftën Izrael-Hamas. Ata dënuan Hamasin, mbështetën të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur dhe bënë thirrje për pauza humanitare për të përshpejtuar dërgimin e ndihmave për civilët e dëshpëruar në Rripin e Gazës.
Izraeli njoftoi se forcat e tij ushtarake gjenden në zemrën e qytetit Gaza dhe po godasin infrastrukturën dhe komandantët e Hamasit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli po shton trysninë ndaj Hamasit me çdo orë që kalon dhe përsëriti thirrjen për largimin e civilëve.
“Që me fillimin e operacioneve tokësore, kemi shkatërruar shtabe të panumërta, tunele, baza dhe objekte të Hamasit. Hamasi po kupton se mundemi të arrijmë në vende ku mendonin se nuk arrinim dot... Gaza nuk do të përbëjë më rrezik për Izraelin. E përsëris dhe i bëj thirrje popullsisë civile në Gazë që të shkojë drejt jugut”, tha Kryeministri Netanyahu.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit çelën një korridor evakuimi nga Gaza e veriut, të cilin e lanë të hapur për civilët deri në pasditen e së mërkurës.
Vlerësohet se 70% e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh, janë larguar tashmë.
Trysnia ndërkombëtare ndaj Izraelit është rritur për shkak të vuajtjeve të civilëve në Rripin e Gazës.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua në Tokio me homologët nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Japonia dhe Italia, përpara se të qarkullohej një deklaratë me qëndrimin e tyre të përbashkët.
“Patëm diskutime të thelluara për hapat që po ndërmarrim për të trajtuar nevojat urgjente në terren. Të gjithë ramë dakort se pauzat humanitare do të mbështesnin objektivin për të mbrojtur civilët palestinezë, për të rritur prurjen e vazhdueshme të ndihmave, për t’u lejuar shtetasve tanë dhe shtetasve të vendeve të tjera që të largohen, si dhe për të lehtësuar lirimin e pengjeve”, tha Sekretari Blinken.
Ai informoi homologët e tij për bisedimet me udhëheqësit izraelitë në lidhje me pauzat dhe hapat konkretë për të minimizuar dëmin ndaj palestinezëve në Gazë. Ai tha se Izraeli ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk do të kthehet më në situatën e 6 tetorit – ditën përpara sulmit të Hamasit.
Sekretari Blinken vazhdon vizitën në Azi me takime në Seul për të biseduar me udhëheqësin koreanë, ndërkohë që vendet aleate po rrisin bashkëpunimin për shkak të shqetësimeve nga forcimi i lidhjeve ushtarake të Koresë së Veriut me Rusinë.
Pas takimeve në Seul, Sekretari Blinken do të udhëtojë drejt New Delhit për të marrë pjesë në dialogun ministerial, së bashku me Sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin. Delegacioni amerikan do të takohet me zyrtarët e lartë indianë për të trajtuar shqetësime dypalëshe dhe globale, si dhe zhvillimet në rajonin Indo-Paqësor.