Të mërkurën, forcat tokësore izraelite në Rripin e Gazës filluan operacionet për gjetjen dhe eliminimin e rrjetit të gjerë të tuneleve të përdorura nga militatët e Hamasit që kontrollon enklavën. Kjo përbën fazën e radhës së ofensivës izraelite, ndërsa njoftohet për mijëra të vrarë palestinezë.
Izraeli ka kryer operacione ushtarake nga ajri dhe toka pas sulmit të armatosur të Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit që vrau 1,400 njerëz dhe mori 240 pengje. Operacioni izraelit e ka ndarë Gazën në dy pjesë.
Qyteti i Gazës, më i madhi i territorit dhe bastioni kryesor i Hamasit, është i rrethuar. Izraeli thotë se trupat e tij kanë përparuar në zemër të qytetit ndërsa Hamasi njofton se luftëtarët e tij kanë shkaktuar humbje të mëdha ndaj forcave izraelite.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se trupat xheniere po përdorin mjete shpërthyese për të shkatërruar një rrjet tunelesh të ndërtuara nga Hamasi, që shtrihen disa qindra kilometra nën Gaza.
Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, tha se Izraeli kishte “objektiv, terroristët e Hamasit në Gaza, infrastrukturën e tyre, komandantët, bunkerët dhe dhomat e komunikimit”.
Tanket izraelite janë përballur me rezistencë të fortë nga luftëtarët e Hamasit që përdorin rrjetet e tuneleve për të sulmuar, thanë dy burime me Hamasin dhe grupin militant Xhihadi Islamik.
Agjencitë e lajmeve nuk mund të verifikojnë pretendimet e palëve për luftimet në fushën e betejës.
Izraelitët kanë shprehur drojën se operacionet ushtarake mund të shtojnë edhe më tej rrezikun ndaj pengjeve të marra nga Hamasi që besohet se mbahen në tunele.
Izraeli ka thënë se nuk do të pajtohet me thirrjet për armëpushim deri në lirimin e pengjeve. Nga ana tjetër, Hamasi është shprehur se nuk do të ndalojë luftimet ndërsa Gaza ndodhet nën sulm.
“E sfidoj (Izraelin) nëse ka qenë në gjendje, deri në këtë moment, të citojë ndonjë arritje ushtarake në terren përveç vrasjes së civilëve”, tha për televizionin Al Jazeera zyrtari i lartë i Hamasit, Ghazi Hamad.
“Gaza është e pathyeshme dhe do të mbetet një gjemb në fyt për amerikanët dhe zionistët”, tha zyrtari i Hmasit, Ghazi Hamad.
Ndërsa operacioni ushtarak i Izraelit është i përqendruar tek gjysma veriore e Gazës, sulme ka patur edhe në jug.
Zyrtarët palestinezë të mjekësisë thanë se të paktën 23 persona u vranë në dy sulme ajrore izraelite të martën në qytetet jugore Khan Younis dhe Rafah. Njoftimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Uashingtoni e ka mbështetur qëndrimin e Izraelit, se një armëpushim do të ndihmonte ushtarakisht Hamasin. Por Presidenti Joe Biden tha të martën se i kishte kërkuar zotit Netanyahu që të ndalonte paraprakisht luftimet.