Javën e ardhshme në Bruksel pritet një takim i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të diskutimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, në dritën e kërkesave perëndimore që Prishtina të themelojë Asocioacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.
Çështja e projekt-statusit të Asociacionit që është paraqitur nga diplomacia perëndimore, ishte në qendër të vizitës së paparalajmëruar në Prishtinë të të dërguarit evropian Miroslav Lajçak, i cili të hënën në mbrëmje dhe të martën u takua me përfaqësues të qeverisë, institucioneve ndërkombëtare dhe të partive opozitare.
Dy nga përfaqësuesit e opozitës thanë pas takimit se kanë kërkuar më shumë hollësi për përmbajtjen e projekt-statutit të Asociacionit, ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se e ka lexuar atë në tërësi dhe qëndrimin për të do ta bëj publik pas shqyrtimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.
Udhëheqës të Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës thanë se nuk e kanë parë dokumentin dhe deklaratat e zotit Lajçak se Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën janë të pamjaftueshme.
“Shqetësimet tona vazhdojnë të jenë prezente për arsye sepse nuk jemi të njoftuar mbi detajet, e siç thotë një shprehje po e them që është ndërkombëtare, dreqi fshihet në detaje. Neve na duhet të shohim detajet e tekstit për të qenë të sigurt se një themelim i Asociacionit nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit tonë dhe nuk do ta transformojë Republikën e Kosovës nga idealet e themeluesve të këtij shtetit”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
“Është çështje që po e ruajnë procesin për vetën e tyre dhe natyrisht një po e konfirmuar nga Kosova u tha edhe nga zoti Lajçak se Kosova ka pranuar edhe planin edhe sekuencimin dhe zbatimin e marrëveshjes dhe gjithë modelin evropian dhe tani është çështje që procesi do të zhvillohet. Nuk ka shumë kohë, nuk guxon që të humbet ky moment dhe ne do të vazhdojmë kujdesshëm të bëhemi gardian të parimeve të dialogut dhe të angazhimeve tona sepse tjetër rol nuk kemi si LDK dhe opozitë në këtë proces”, tha nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Por, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ka lexuar në tërësi projekt statutin evropian.
“Kuptohet çdo herë i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Në këtë draft nuk ndryshojnë përgjegjësitë e komunave, Asociacioni nuk merr nga këto përgjegjësi por po ashtu janë plotë lehtësira që i krijohen në arsim, në shëndetësi, funksionim dhe mundësive që jep Asociacioni. Komentet tona se a pajtohemi me këtë draft do t’i bëjmë pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese për shkak se që në hyrje të dokumentit shpjegohet që drafti duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese dhe po ashtu të gjitha aktet tjera pra çdo herë çdo vendim lidhur me krijimin e Asociacionit duhet të shqyrtohet nga ministria e Pushtetit Lokal dhe të miratohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha zoti Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se ishte i gatshëm të nënshkruante projektin për Asociacionin të ofruar nga diplomacia perëndimore me 21 tetor për të cilin u diskutua në Bruksel me 26 tetor në takime me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian. Zoti Lajçak tha mbrëmë pas një takimi me zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi, se ka një pajtim me autoritetet në Kosovë për hapat e ardhshëm në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, por pa dhënë hollësi se për çfarë hapash bëhet fjalë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, e ka cilësuar propozimin për Asociacionin si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve, por duke nënvizuar se nuk do të pranojë asgjë që çon drejt njohjes së Kosovës.
Diplomatët perëndimorë janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet palëve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon që nxitën ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës.
Por ritmi i zbatimit të marrëveshjes mund të sfidohet nga zgjedhjet e reja parlamentare në Serbi që do të mbahen më 17 dhjetor.