Shtëpia e Bardhë ka ofruar ndihma financiare për të shtuar futjen e më shumë makinave elektrike në përdorim.. Disa shtete po i përdorin këto fonde për të kontribuar në rrjetin e karikimit të shpejtë të makinave elektrike.
Karikimi i makinës elektrike është sfidë për pronaren Rebecca DeWhitt.
“Nëse do të kishim një shtëpi private do ta karakikonim makinën në garazh. Ndaj jemi të detyruar të përdorim një zgjatues elektrik për karikimin e makinës”, thotë Rebecca DeWhitt e cila zotëron një makinë elektrike.
Nëse administrata e Presidentit Biden synon ta përmbushë synimin që automjetet elektrike të përbëjnë gjysmën e makinave të reja në treg deri në vitin 2030, asaj i duhet të ndërtojë një infrastrukturë të mirë për karikimin e automjeteve elektrike.
Për këtë qëllim, Shtëpia e Bardhë po u ofron shteteve 5 miliardë dollarë ndihma për ndërtimin e një rrjeti karikimi në vend. Teksasi përfitoi shumën më të madhe në këtë program.
Cameron Freberg, strategjist me kompaninë “Austin Energy Utility” thotë se rrjeti i karikimi në Teksas do të rrisë përdorimin e makinave elektrike në shtetin që ka shumë arterie rrugore që lidhin qytetet.
“Do të kemi karikues të shpejtë, që mbushin baterinë për disa minuta krahasuar me orë, që do të vendosen në mënyrë strategjike në të gjithë shtetin e Teksasit. Instalimi i këtyre stacioneve do ta lehtësojë udhëtimin përgjatë aterieve kryesore”.
Në këto stacione duhet të instalohen bateri të fuqishme për ruajtjen e energjisë, sepse siç shpjegon analisti i automjeteve elektrike Loren McDonald, në disa raste ka ndërprerje të energjisë.
“Bateritë që ruajnë energjinë i bëjnë stacionet më të sigurta në rastet kur bie rrjeti. Në këto raste bateritë ofrojnë siguri për një kohë të caktuar dhe mund të shërbejnë edhe për nevoja të tjera. Është një lloj evolucioni i kësaj industrie”.
Kompania Tesla shënoi një tjetër arritje në këtë fushë, ndërsa mundësoi përdorimin e stacioneve të saj të karikimit edhe për firmat e tjera.
“Makinat e tjera tani kanë shansin të përdorin dyfishin e stacioneve të karikimit përmes një përshtatësi”, thotë hulumtuesi Loren McDonald.
Rrjeti i stacioneve të karikimit të shpejtë në mbarë Amerikën, përveç përshtatësve në rrjetin e kompanisë Tesla, u ofron përdoruesve të makinave elektrike variante më të sigurta dhe efikase për karikimin e makinave.