Lidhje

Shtohen përpjekjet diplomatike për ndërprerje të përkohshme të luftimeve në Gazë


Palestinezët përpiqen të nxjerrin një vajzë nga rrënojat e një ndërtese pas sulmeve izraelite në kampin e refugjatëve në Jabalia, në veri tëp Rripit të Gazës. 1 nëntor 2023.
Palestinezët përpiqen të nxjerrin një vajzë nga rrënojat e një ndërtese pas sulmeve izraelite në kampin e refugjatëve në Jabalia, në veri tëp Rripit të Gazës. 1 nëntor 2023.

Trupat tokësore izraelite vazhdojnë përparimin drejt qytetit të Gazës këtë të enjte, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe vendet arabe po shtojnë përpjekjet diplomatike për të zbutur pasojat e rrethimit të territorit që qeveristet nga Hamasi dhe për të bërë të mundur, të paktën, një ndërprerje afatshkurtër të luftimeve për të ndihmuar civilët.

Më shumë se 9000 palestinezë janë vrarë që kur nisën luftimet, thanë zyrtarë të shëndetësisë në Gazë.

Presidenti Joe Biden propozoi dje “ndërprerje të përkohshme të luftimeve” me qëllim dhënien e ndihmës humanitare, në një kohë kur, përmes asaj që duket të ishte një marrëveshje mes Shteteteve të Bashkuara, Egjiptit, Izraelit dhe Katarit, i cili ndërmjetëson me Hamasin, u bë e mundur që për herë të parë, qindra palestinezë, që zotërojnë pasaporta të huaja dhe dhjetra të plagosur të largoheshin nga Gaza. Dhjetra të tjerë u evakuuan këtë të enjte.

Disa vende arabe, përfshirë aleatë të Shteteve të Bashkuara dhe ata që kanë marrëdhënie paqësore me Izraelin, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre mbi luftën. Jordania tërhoqi ambasadorin e saj nga Izraeli dhe i kërkoi të dërguarit të Izraelit, që të qëndrojë larg vendit, deri në ndalimin e luftës dhe “katasrofës humanitare” që po shkakton ajo.

Më shumë se 3600 fëmijë palestinezë janë vrarë gjatë 25 ditëve të luftimeve dhe mbi gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës është larguar nga shtëpitë e tyre.

Nga pala izraelite, janë vrarë më shumë se 1400 persona, shumica civilë, që humbën jetën gjatë sulmit të befasishëm të 7 tetorit nga grupi i Hamasit.

Shtetet e Bashkuara janë zotuar për mbështjeje të palëkundur të Izraelit, i cili synon t’i japë fund qeverisjes së Hamasit në Gazë dhe të shkatërrojë aftësitë e tij ushtarake, edhe pse dy vendet aleate nuk kanë një plan të qartë mbi udhëheqjen e Gazës pas mbarimit të konfliktit.

Grupi Hamas është sanksionuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë tha se ndërprerja e përkohshme e luftimeve do të lejonte dërgimin e më shumë ndihmave dhe do të lehtësonte lirimin e personave që po mbahen nga Hamasi.

XS
SM
MD
LG