Këshilli i Sigurisë kombëtare në Maqedoninë e Veriut u mblodh të mërkurën për të shqyrtuar gjendjen në vend dhe për të parë nëse konfliktet dhe përshkallëzimet globale e rajonale mund të kenë ndonjë ndikim tek mirëqenia e këtij shteti ballkanik.
Në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i Presidentit Stevo Pendarvoski thuhet se përfaqësuesit e institucioneve përkatëse informuan lidhur me çështjet aktuale të sigurisë lidhur me vendin dhe rajonin më të gjerë, përfshirë agresionin rus ndaj Ukrainës, ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe gjendjen në veriun e Kosovës. Është vlerësuar se gjendja e sigurisë në Maqedoninë e Veriut është e qëndrueshme dhe se nuk ka shenja që tregojnë për një rrezikim të mundshëm të saj.
Në Këshillin e drejtuar nga presidenti i vendit Stevo Pendarovski bëjnë pjesë edhe drejtuesit më të lartë shtetërorë, Kryetari i Parlamentit, Kryeministri, ministrat e Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme dhe të Jashtme si dhe tre ekspertë të emëruar nga presidenti. Në këtë takim, zoti Pendarovski kishte ftuar edhe drejtorët e Agjencisë për Sigurinë Kombëtare dhe të Agjencisë për Kundërzbulimin.
Kabineti i zotit Pendarovski thekson vlerësimin e Këshillit se vendi duke qenë anëtar i NATO-s “është në koordinim të rregullt me Aleancën dhe vendet aleate sa i takon veprimeve që ndërmerren për forcimin e sigurisë në hapësirat euroatlantike”.
Këshilli ka konstatuar nevojën për vazhdimin e ndjekjes së zhvillimeve nga institucionet përkatëse dhe që ato të përgatisin skenarë të mundshëm në përputhje me zhvillimin e ngjarjeve, me qëllim marrjen në kohë të masave dhe veprimeve në kuadër të kompetencave që kanë.
Ndërkohë, ekspertët e çështjeve të sigurisë në Shkup mendojnë se sidoqoftë ekziston rreziku nga kërcënimet edhe në Maqedoninë e Veriut dhe se pas shpërthimit të luftimeve në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe Hamasit, shkalla e rrezikut të sigurisë nga niveli i ulët tani është ngritur në atë mesatar. Zllatko Apostolloski, bashkërendues kombëtar për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit tha gjatë një tribune se është ngritur niveli i veprimtarive të shërbimeve të sigurisë në vend.
“Ekzsitojnë rreziqe dhe mund të shfaqen veprime të papritura, por në kushtet e Maqedonisë kjo dukuri tani për tani është vetëm në rrjetet sociale”, tha eksperti.
Auoritetet në Shkup bashkëpunojnë me vendet e rajonit për shkëmbimin e njoftimeve lidhur me ekstremistët dhe veprimet e tyre.