Lidhje

Matthew Perry, aktor i serialit televiziv ‘Friends’ ndërron jetë në moshën 54-vjeçare


Matthew Perry
Matthew Perry

Matthew Perry, ylli i serialit televiziv ‘Friends’, i emëruar disa herë për çmimin Emmy, është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare. Ai u bë i famshëm me personazhin sarkastik, por të dashur për publikun, Chandler Bing.

Aktori u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në Los Anxhelos to shtunën. Gazeta “Los Angelos Times” dhe rrjeti “TMZ” njoftojnë se aktori ishte mbytur në vaskë.

10 sezonet e serialit televiziv ‘Friends’ e bënë atë ndër aktorët më të njohur në Hollywood. Ai interpretoi me aktorët e tjerë të njohur Jennifer Aniston, Courteney Cox, Matt LeBlanc, Lisa Kudrow dhe David Schwimmer si gjashtë miq të ngushtë që jetonin në një lagje të Nju Jorkut.

Aktori Perry ishte i hapur me publikun lidhur me betejën e tij me varësinë tek ilaçet dhe alkooli. Në vitin 2022 ai publikoi një libër me kujtime të cilin e fillonte me këtë fjali: “Quhem Matthew, megjithëse ju mund të më njihni me një tjetër emër. Miqtë më thërrasin Matty. Dhe unë duhet të kisha vdekur”.

Seriali ‘Friends’ u shfaq nga viti 1994 deri në vitin 2004, duke fituar një çmim Emmy për serialin më të mirë në zhanrin e komedisë në vitin 2002. Gjashtë aktorët formuan një miqësi shumë të rrallë për sezonet e mëvonshme duke siguruar pagesën prej 1 milion dollarësh secili për episod.

Duke folur për skenarin e serialit në librin “Friends, Lovers and the Big Terrible Thing” (Miqtë, të dashuruarit dhe gjëja e tmerrshme e madhe) zoti Perry shkruante se: “Ishte sikur dikush të më kishte ndjekur për një vit, duke më vjedhur batutat, kopjuar sjelljet e mia, fotokopjuar këndvështrimin tim skeptik por të mprehtë për jetën. Në veçanti më ra në sy një personazh, nuk ishte se mendova se mund ta luaja Chandler-in, Unë ‘isha’ Chandler”.

Për publikun, në atë kohë ishe e panjohur beteja që zoti Perry kishte me varësinë dhe dëshira e tij e fortë për të kënaqur shikuesit. Ai shkruante në librin me kujtime se sa i dashuruar ishte me skenarin, aktorët e tjerë në serialin e famshëm dhe betejën e tij me varësinë, për të cilën shkruante: “më shtoi ndjenjën e turpit”. “Unë kisha një sekret dhe askush nuk mund ta dinte”.

“Ndihesha sikur do të vdisja nëse audienca që ndiqte filmimet në skenë nuk do të qeshte, me siguri kjo nuk është e shëndetshme. Në disa raste kur thoja pjesën time dhe publiku nuk qeshte, unë djersitesha dhe humbja kontrollin e gjymtyrëve”, shkruante zoti Perry.

Zoti Perry u lind në 19 gusht të vitit 1969 në qytetin Uilliamstaun në Masaçusets. Babai i tij është aktori John Benner Perry. Nëna e tij, Suzanne, ka qënë sekretare shtypi e kryeministrit kanadez Pierre Trudeau. Ajo është e martuar me gazetarin e kanalit NBC, Keith Morrison.

XS
SM
MD
LG