Lidhje

Izraeli bombardon tunelet nëntokësore në Gaza ndërsa zgjerohet operacioni tokësor


Izraeli tha të shtunën se po zgjeron operacionin e tij tokësor në Gaza me këmbësori dhe automjete të blinduara të mbështetura nga sulme "masive" nga ajri dhe deti, duke përfshirë bombardimin e tuneleve të Hamasit, një objektiv kyç në fushatën e tij për të shtypur grupin që kreu një sulm të përgjakshëm në jug të Izraelit tre javë më parë.

Ushtria izraelite publikoi pamje të tankeve që lëviznin ngadalë në zona të hapura të Gazës dhe tha se avionët e tij bombarduan dhjetëra tunele dhe bunkerë nëntokësorë të Hamasit.

"Forcat janë ende në terren dhe po vazhdojnë luftën", tha të shtunën zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, duke lënë të kuptohet se ka filluar periudha që pritet të shndërrohet në një sulm tokësor gjithëpërfshirës në veri të Gazas.

Ditë më parë, Izraeli kishte grumbulluar qindra mijëra trupa përgjatë kufirit. Deri më tani, trupat kanë kryer ndërhyrje të shkurtra tokësore gjatë natës përpara se të ktheheshin në Izrael.

Zëdhënësi Hagari tha se forcat tokësore u mbështetën nga ato që ai i përshkroi si sulme masive nga ajri dhe deti. Ai tha se dy komandantë të tjerë të rëndësishëm ushtarakë të Hamasit u vranë gjatë natës, duke argumentuar se Izraeli po përballej me një armik "të dobësuar". Nuk pati asnjë konfirmim të menjëhershëm nga Hamasi.

Faza e re e fushatës filloi të premten vonë, me bombardimet që ndërprenë komunikimet në Gazën e rrethuar, duke i shkëputur 2.3 milionë banorë nga kontakti me botën e jashtme.

Mbyllja pothuajse e tërësishme e informacionit nga Gaza i mundësoi ushtrisë të kontrollojë “rrëfimin” në një periudhë thelbësore të luftimeve. Palestinezët u hodhën në izolim, duke u grumbulluar në shtëpi dhe strehimore me furnizimet me ushqim dhe ujë pothuajse të mbaruara. Furnizimi me energji elektrike është këputur nga nga Izraeli që në fazat e hershme të luftës.

Shkëputja e internetit dhe shërbimeve telefonike e dha një goditje të mëtejshme sistemit mjekësor dhe atij të ndihmës që punonjësit thonë se ishte tashmë në prag të kolapsit. Më shumë se 1.4 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre. Gati gjysma janë grumbulluar në shkollat dhe strehimoret e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Punonjësit humanitar thonë ndihma që Izraeli ka lejuar të hyjë nga Egjipti javën e kaluar, është vetëm një pjesë e vogël e asaj që është e nevojshme.

Spitalet e Gazës kanë kërkuar karburant për gjeneratorët e urgjencës, që vënë në punë inkubatorët dhe pajisjet e tjera për shpëtimin e jetës.

Agjencia shëndetësore e OKB-së dhe grupet e tjera të ndihmës, thanë të shtunën se nuk janë në gjendje të komunikojnë me ekipet e tyre në Gaza.

Tedros Adhanom, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se ndërprerja e energjisë ka bërë të pamundur që ambulancat të arrijnë të marrin të plagosurit. “Ne jemi ende pa kontakt me personelin tonë dhe objektet shëndetësore. Jam i shqetësuar për sigurinë e tyre”, shkroi ai në platformën X, e njohur më parë si Twitter.

Fushata e ngjeshur ajrore dhe tokësore, ngriti gjithashtu shqetësime të reja për sigurinë e dhjetëra pengjeve që mbahen në Gaza që nga 7 tetori. Zëdhënësi Hagari tha të shtunën se numri i konfirmuar i pengjeve tani është 229, pasi katër pengje u liruan në ditët e fundit me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Katarit.

Ai hodhi poshtë raportet e mediave për një marrëveshje të mundshme armëpushimi në këmbim të lirimit të pengjeve, duke e cilësuar si një "shfrytëzim cinik", para së gjithash nga Hamasi, të ankthit të të afërmve të pengjeve.

Familjet e pengjeve kërkuan të shtunën kërkuan një takim me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, mes shqetësimeve në rritje për fatin e të dashurve të tyre.

Ndërprerja e komunikimeve në Gaza rriti gjithashtu ankthin e palestinezëve në Bregun Perëndimor. Wafaa Abdul Rahman, drejtoreshë e një organizate feministe me bazë në qytetin Ramallah, tha se nuk kishte dëgjuar asgjë për orë të tëra nga familja në Gazën qendrore.

Izraeli thotë se sulmet e tij po vënë në shënjestër luftëtarët dhe infrastrukturën e Hamasit dhe se militantët po veprojnë nga radhët e civilëve, duke i vënë ata në rrezik.

Numri i të vdekurve palestinezë në Gaza ka arritur në mbi 7,300, më shumë se 60 për qind e tyre të mitur dhe gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së territorit. Një bllokadë në Gaza nënkupton pakësimin e furnizimeve dhe OKB-ja paralajmëroi se operacioni i saj i ndihmës për qindra mijëra njerëz po "rrënohet” mes mungesës së karburantit.

Më shumë se 1,400 njerëz u vranë në Izrael gjatë sulmit të Hamasit me 7 tetor, sipas qeverisë izraelite, dhe të paktën 229 pengje u morën në Gaza. Në mesin e të vrarëve ishin të paktën 311 ushtarë.

Militantët palestinezë kanë hedhur mijëra raketa në drejtim të Izraelit.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve tejkalon shumë numrin e të vrarëve në katër luftëra të mëparshme Izrael-Hamas.

Yoav Gallant, ministër izraelit i Mbrojtjes, tha të premten se Izraeli pret një ofensivë të gjatë dhe të vështirë tokësore në Gaza së shpejti.

"Do të duhet një kohë e gjatë" për të çmontuar rrjetin e gjerë të tuneleve të Hamasit, tha ai, duke shtuar se pret një fazë të gjatë luftimesh me intensitet më të ulët, ndërsa Izraeli shkatërron "xhepat e rezistencës".

Komentet e tij paralajmëruan një periudhë të re potencialisht rraskapitëse dhe të hapur të luftës, pas tre javë bombardimesh të pandërprera. Izraeli ka thënë se synon t’i jap fund sundimit të Hamasit në Gaza dhe aftësisë së tij për të kërcënuar Izraelin. Por, si do të matet disfata e Hamasit dhe si do të përfundojë loja e një pushtimi mbetet e paqartë. Izraeli thotë se nuk ka ndërmend të sundojë territorin e vogël.

Në Uashington, Pentagoni tha se Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, foli me ministrin Gallant të premten dhe "theksoi rëndësinë e mbrojtjes së civilëve gjatë operacioneve të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit dhe përqendrimin në urgjencën e dërgimit të ndihmave humanitare për civilët në Gaza". Pentagoni tha se sekretari Austin theksoi gjithashtu "nevojën që Hamasi të lirojë të gjithë pengjet".

Konflikti kërcënon të nxisë një luftë më të gjerë në të gjithë rajonin. Kombet arabe, përfshirë aleatët e SHBA-së dhe ata që kanë arritur marrëveshje paqeje ose marrëdhënie të normalizuara me Izraelin, kanë ngritur alarmin në rritje për një pushtim të mundshëm tokësor, që ka të ngjarë të shkaktojë edhe më shumë viktima mes luftimeve urbane.

Shumë prej të bllokuarve në Gaza nuk u mbeti zgjidhje tjetër veçse të presin në shtëpitë e tyre ose të kërkojnë sigurinë relative në shkolla dhe spitale, ndërsa Izraeli zgjeroi bombardimet e tij të shtunën.

XS
SM
MD
LG