Lidhje

Pastrimi i parave, Shqipëria del nga "lista gri"


Konferenca e përbashkët e autoriteteve shqiptare me misionin e FMN-së
Konferenca e përbashkët e autoriteteve shqiptare me misionin e FMN-së

Në Shqipëri, autoritetet njoftuan sot se vendi ka dalë nga “lista gri” e vendeve me mangësi në luftën kundër pastrimit të parave. Vendimi i marrë nga Task Forca e Veprimit Financiar (FATF), një organizatë ndërqeveritare e themeluar me iniciativën e G7, pritet të ketë ndikime pozitive si në aspektin e imazhit të vendit ashtu dhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare, deklaroi ministri i Financave Ervin Mete. Ndërkaq një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësoi ecurinë e ekonomisë shqiptare, duke theksuar se turizmi do të vijojë të jetë një motor i rritjes së saj

Në vitin 2020, Shqipëria u përfshi mes vendeve nën monitorim, ose pjesë e "listës gri", sa i përket luftës kundër pastrimit të parave. Sot ministri i Financave Ervin Mete bëri të ditur se Task Forca për Veprimin Financiar, ka vendosur ta heqë nga kjo listë, "si pasojë e angazhimit në zbatimin e rekomandimeve të kësaj Task Force. Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin e imazhit, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë”.

Daljen e Shqipërisë nga "lista gri" e përshendeti dhe guvernatori i Bankës Qendrore Gent Sejko, i cili së bashku me ministrin Mete ishin në konferencën e përbashkët me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv, lidhur me ecurinë e mëtejshme pozitive të sistemit financiar e bankar por dhe të gjithë ekonomisë, pasi do të pasqyrohet jo vetëm në klimën e biznesit por dhe në aftësinë e sistemit financiar për të mbështetur me investime dhe financime bizneset e vogla, të mesme e të mëdha

Duket se një ndikim të dukshëm për vendimin e FATF-së, ka patur dhe tërheqja e qeverisë shqiptare nga nisma për amnistinë fiskale. Këtë e pohoi dhe ministri Mete, ndërsa shpjegoi se “ne nuk do të ndërmarrim asnjë masë që bie ndesh me parimet me këtë fushë, me rekomandimet e FATF-së, apo që bien ndesh me praktika të ngjashme të ndërmarra dhe në vende të tjera”.

Edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, vlerësimet sot, ishin pozitive për ecurinë e ekonomisë shqiptare, “e shfaqur si një ndër ekonomitë më të forta të rajonit”. Shefja e misionit të FMN-së Anke Weber shpjegoi se "ekonomia shqiptare ka treguar qendrueshmëri. Rritja vitin e kaluar i tejkaloi pritshmëritë në afër 5 për qind, falë turizmit dhe ndërtimit. Pozicioni i jashtëm i vendit gjithashtu pati një përmirësim të dukshëm. Ne besojmë se ekonomia ka hapësirë për manovër dhe se turizmi do të vazhdojë të jetë një motor i rritjes. Ne parashikojmë një rritje prej 3.6 përqind këtë vit dhe dhe 3.3 përqind, vitin e ardhshëm dhe rreth 3.5 përqind në periudhën afatmesme”, deklaroi zonja Weber.

Nga ana e saj qeveria shqiptare është lehtësisht më optimiste në parashikimet e saj ndërsa pret, siç tha ministri Mete, që rritja ekonomike këtë vit të jetë 3.7 përqind, dhe 3.8 vitin e ardhshëm, për të qëndruar në afro 4 përqind për periudhën afatmesme.

Por pavarësisht rritjes ekonomike, siç vëren dhe FMN-ja “Shqipëria ka hasur vështirësi në mbylljen e hendekut të të ardhurave me vendet e BE-së. Informaliteti, mangësitë në mirëqeverisje dhe në shtetin e së drejtës, dobësitë në tregun e punës, hendeqet në infrastrukturë dhe presionet demografike kanë penguar shpërndarjen efikase të burimeve dhe kanë frenuar produktivitetin”. Sipas Fondit Monetar, “përmirësimet e mëtejshme në mirëqeverisje dhe shtetin e së drejtës do ta përmirësojnë mjedisin e biznesit”, ndërsa “zbatimi i vendosur i politikave për zhvillimin dhe mbajtjen e kapitalit njerëzor duhet të nxisë rritjen potenciale dhe të përmirësojë standardet e jetesës”. Për këtë sipas FMN-së “fushat kyçe përfshijnë: modernizimin e kurrikulës arsimore, përmirësimin e përshtatshmërisë së tregut të punës dhe cilësisë së arsimit dhe trajnimit profesional, investimin në aftësitë digjitale dhe nxitjen e mjedisit kërkimor dhe zhvillimor, duke ushqyer novacionet”.

XS
SM
MD
LG