Shtetet e Bashkuara shpallen të premten një raund të dytë sanksionesh duke vënë në shënjestër grupin militant palestinez Hamas. Pjesë e sanksioneve është dhe një zyrtar i Hamasit në Iran, si dhe anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Sanksionet godasin aktivitetin dhe burimet financiare të grupit militant, si dhe personat që kanë lehtësuar shmangien nga sanksionet, të kompanive të lidhura me Hamasin, thuhej në një deklaratë të Departamentit amerikan të Thesarit.
Në shënjestër gjithashtu ishte një entitet me bazë në Gazë, që Departamenti i Thesarit thotë se ka shërbyer si një kanal për fondet e paligjshme iraniane për Hamasin, si dhe grupin palestinez Xhihadi Islamik. Irani mbështet Hamasin dhe grupet e tjera militante në Lindjen e Mesme. Në vitin 1997 Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Hamasin grup terrorist.
"Ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim veprime për të dëmtuar edhe më tej aftësinë e Hamasit për të kryer sulme të tmerrshme terroriste, duke synuar pamëshirshëm aktivitetet e tij financiare dhe burimet e financimit", thuhej në një deklaratë të zëvendës sekretarit të Thesarit Wally Adeyemo, ku shtohej se sanksionet synojnë "t'i bllokojnë Hamasin mundësitë për të shfrytëzuar sistemi financiar ndërkombëtar”.
Zoti Adeyemo tha disa kompani që operojnë në hapësirën dixhitale, nuk po bënin mjaftueshëm për të ndaluar rrjedhën e financimeve të paligjshme.
Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, gjatë të cilit u njoftua se u vranë 1400 vetë, Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës. Ditën e pare të sulmit grupi i militantëve mori peng më shumë se 200 persona, disa prej të cilëve foshnje.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e kontrolluar nga Hamasi, tha të enjten se 7028 palestinezë ishin vrarë për shkak të sulmeve ajrore hakmarrëse të Izraelit, të dhëna këto që nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Falë vendimit të marrë të premten do të ngrihet çdo pasuri në territorin amerikan të grupeve apo personave objektiv i saksioneve dhe shtetasit amerikanë ndalohen të bëjnë biznes me ta. Po kështu ata që kryejnë transaksione të caktuara me entitet apo personat e sansionuar rrezikojnë gjithashtu të goditen me sanksione.
Departamenti i Thesarit tha se vendosi sanksione ndaj një shtetasi jordanez që jeton në kryeqytetin iranian, Teheran, duke shtuar se ai ka shërbyer si përfaqësues i Hamasit në Iran. Po kështu u vendosën sanksione ndaj zyrtarëve të Forcave Qods të Gardës Revolucionare Islamike, që kanë stërvitur dhe ndihmuar anëtarët e Hamasit dhe grupeve të tjera militante.
Në shënjestër të masave amerikane ishin dhe disa kompani me bazë në Sudan dhe Spanjë si dhe aksionerët me bazë në Turqi, të një kompanie të sanksionuar më pare, si pjesë e portofolit të investimeve të Hamasit.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se portofoli i investimeve të Hamasit, i vlerësuar në qindra milionë dollarë, përfshin kompani që operojnë në Turqi, Sudan, Algjeri, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe gjetkë.