Lidhje

Trupat izraelite kryejnë sulm të shkurtër tokësor në Gazë


Izraeli ndërmorri gjatë natës një sulm tokësor disa orësh me tanke në veri të Gazës, duke goditur një sërë objektesh ushtarake, që synonte përgatitjen e terrenit përpara ndërhyrjes së pritshme tokësore, sipas ushtrisë izraelite.

Sulmi ndodhi në një kohë kur OKB-ja njofton se rezervat e karburantit në Rripin e Gazës, ishin në prag të mbarimit dhe organizata është detyruar të kufizojë ndjeshëm dërgimin e ndihmës. Rripi i Gazës gjendet në rrethim të plotë, që pas sulmit të grupit militant të Hamasit ndaj Izraelit, në 7 tetor.

Sipas zyrtarëve palestinezë, gjatë 24 orëve të fundit u vranë mbi 750 persona, duke e çuar më shumë se 7 mijë numrin e viktimave në Gazë.

Bilanci mund të jetë edhe më i rëndë në rast se Izraeli ndërmerr sulmin e pritshëm tokësor.

Izraeli është zotuar të shtypë aftësitë e Hamasit për të qeverisur Gazën apo për ta kërcënuar sërish, por ka deklaruar gjithashtu se nuk synon ripushtimin e territorit, nga i cili i tërhoqi trupat në 2005.

Kjo mund të jetë një sfidë e vështirë pasi Hamasi i ka rrënjët e thella në shoqërinë palestineze, përmes organizatave politike dhe atyre të bamirësire, por gjithashtu edhe me trupat e armatosura.

Grupi i Hamasit, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë përcaktuar organizatë terroriste qeveris Gazën që prej vitit 2007 dhe i ka mbijetuar 4 luftrave me Izraelin.

Të mërkurën, bashkëshortja, djali, vajza dhe nipi i gazetarit të vjetër të rrjetit Al Jazeera në Gazë Wael Dahdouh, u vranë nga një sulm ajror i Izraelit.

Ushtria izraelite thotë se kryen sulme vetëm ngaj objektivave ushtarake dhe akuzon Hamasin se vepron mes civilëve në Gazë, një territor me popullsi të dendur.

Që prej nisjes së luftimeve, militantët palestinezë kanë kryer sulme me raketa ndaj Izraelit.

Sipas qeverisë izraelite, 1400 persona janë vrarë në Izrael si pasojë e konfliktit, shumica gjatë sulmit të 7 tetorit nga grupi i Hamasit.

Militantët e Hamasit po mbajnë peng 224 persona në Gazë.

XS
SM
MD
LG