Lidhje

Kurti thotë se ishte i gatshëm të nënshkruante zbatimin e Asociacionit, akuzon Vuçiçin për refuzim


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të enjten në mbrëmje përmes një komunikate se ishte i gatshëm të nënshkruante projektin e ofruar nga diplomacia perëndimore për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç se e refuzoi atë.

Pas disa ore bisedimesh të ndara me udhëheqësit e vendeve kryesore perëndimore, kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se Kosova e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të arritur me 27 shkurti dhe dokumentin për zbatimin e saj që u arrit në Ohër me 18 mars dhe se marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa.

“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruajë edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe SHBA-ja për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit Kurti.

Presidenti serb Vuçiç, u tha gazetarëve se Serbia është e gatshme për zbatimin e Asociacionit “në përputhje me propozimet që kemi marrë, më 21 tetor”, por theksoi se gjatë bisedimeve të sotme me udhëheqësit evropianë “ e kam thënë qartë se Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, apo pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Kosovës”.

Ai tha se nuk është shtruar çështja e nënshkrimit apo mosnënshtrimit gjatë bisedimeve, ndërsa e cilësoi propozimin e 21 tetorit si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në orët e pasdites u takuan me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Takimet e ndara nxitën një ndjenje optimizmi te zyrtarët evropianë dhe shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se puna po vazhdon.

“Ndoshta do të na duhet ta lëmë mbledhjen e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe të ulemi sërish me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për të parë nëse mund të gjejmë zgjidhje brenda dialogut. Nuk ka zgjidhje tjetër, rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon nëpërmjet këtij dialogu, në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet tyre”, tha zoti Borrell.

Bisedimet u mbajtën para fillimit të takimit të lartë të udhëheqësve të vendeve të BE-së, të cilët për dy ditë me radhë do të diskutojnë zhvillimet në botë, përfshirë edhe tensionet Kosovë – Serbi, të cilat arritën një shkallë të lartë pas ngjarjeve të muajit të kaluar në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

Takimet e sotme pasuan vizitën e të dërguarve perëndimorë në Prishtinë dhe Beograd fundjavën e kaluar, gjatë së cilës paraqitën një plan për zbatimin e marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Zyrtarët evropianë thanë është “një propozim bashkëkohor evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

Diskutimet e sotme mund të pasqyrohen edhe në debatet përgjatë takimit të lartë të udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të BE-së të cilët pritet të miratojnë përfundimet në të cilët palëve do t’u kërkohet që të përmbushin të gjitha detyrimet nga marrëveshjet “pa vonesa dhe pa parakushte”.

Në tekstin paraprak të përfundimeve “shprehet shqetësim i thellë” për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, dënohet sulmi i 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës dhe i kërkohet Serbisë bashkëpunim në hetimin dhe ndriçimin e ngjarjeve. Përfundimet do të diskutohen përgjatë takimit të udhëheqësve të bllokut në kërkim të një konsensusi për gjuhën e tekstit.

Një polic i Kosovës u vra dhe dy të tjerë mbeten të plagosur nga pasojat e një sulmi më 24 shtator nga një grup serbesh të armatosur. Tre nga sulmuesit mbetën të vrarë.

Ngjarja nxiti shqetësimin e diplomacisë perëndimore për qëndrueshmërinë në rajon duke bërë që NATO-ja të shtojë trupat në terren.

XS
SM
MD
LG