Lidhje

Paralajmërimi i fortë i SHBA ndaj Iranit: Shmang zgjerimin e konfliktit Izrael-Hamas


Shtetet e Bashkuara bënë një paralajmërim të fortë ndaj Iranit që të shmangë sulmet, që do të zgjeronin luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

"Nëse Irani ose përfaqësuesit e tij do të sulmojnë personelin amerikan kudo që ndodhen, mos bëni gabim, ne do të mbrojmë popullin tonë", tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken, gjatë një fjalimi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të martën.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin në rritje se përshkallëzimi i luftës, duke përfshirë edhe sulmet ndaj trupave amerikane do të ndiznin një konflikt më të gjerë në rajon.

Paralajmërimi i zotit Blinken erdhi pasi shefi i Kombeve të Bashkuara tha në një takim të nivelit të lartë të OKB-së, se situata në Lindjen e Mesme po bëhet çdo orë gjithnjë e më e rëndë.

Zoti Guterres tha se rreziku i përhapjes së luftës nga Rripi i Gazës në rajon po rritet ndërsa vendet po ndahen në qëndrime dhe tensionet po vlojnë.

Shtetet e Bashkuara kanë ushtruar trysni për miratimin e një rezolute që do të dënonte sulmet e Hamasit në Izrael dhe dhunën kundër civilëve, duke riafirmuar gjithashtu të drejtën e Izraelit për t'u vetëmbrojtur.

Zoti Blinken u kërkoi anëtarëve të këshillit, të jenë unanim në paralajmërimin ndaj Iranit.

"Thuajini Iranit, tregojuni përfaqësuesve të tij, publikisht apo në mënyrë jopublike, e me çdo mjet, që të mos hapë një front tjetër në këtë konflikt. Mos sulmoni partnerët e Izraelit", tha ai.

XS
SM
MD
LG