Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, të mbledur në Luksemburg diskutuan për luftën mes Izraelit dhe militantëve islamikë të Hamasit. Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell kërkoi nga diplomatët evropianë të punojnë për një zgjidhje afatgjate të krizës. Gjatë takimit u ritheksua përkrahja për zgjidhjen e krizës me krijimin e dy shteteve, por Ministrja e Jashtme e Gjermansië, Annalena Barbock fajësoi, siç tha ajo, terrorizmin e vazhdueshëm nga Gaza për vazhdimin e katastrofës humanitare.
Ministrat e jashtëm evropianë ritheksuan përkrahjen e tyre për zgjidhjen e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve përmes krijimit të dy shteteve.
Pak para takimit, shefi i BE-së për politikë të jashtme tha se duhet rikthyer vëmendja tek procesi politik.
“Procesi i paqes është harruar për një kohë të gjatë. Fuqitë e mëdha e kanë harruar çështjen palestineze, duke menduar se do të zgjidhej vetëvetiu, apo se ajo nuk kishte rëndësi. Ajo është e rëndësishme. Duhet të vazhdojmë të punojmë për këtë”, tha zoti Borrell.
Zoti Borrell tha se është lajm i mirë që dy ditëve të fundit kanë hyrë dhjetëra kamionë me ndihma për palestinezët përmes kalimit kufitar me Egjiptin.
Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock megjithatë paralajmëroi se, siç tha ajo, vazhdimi i terrorizmit të Hamasit nga Gaza e bën të pamundur dhënien fund të katastrofës humanitare
“Ne nuk mund t’i japim fund katastrofës humanitare nëse terrorizmi në Gazë vazhdon. Nuk do të ketë siguri dhe paqe as për Izraelin dhe as për palestinezët nëse ky terrorizëm vazhdon”, tha zonja Baerbock duke shtuar se janë dy pika më urgjente për krizën në Lindjen e Mesme.
“Së pari, ne duhet në çdo rrethanë të parandalojmë një përshkallëzim. I gjithë rajoni është në rrezik. Së dyti, gjithë pengjet që mbahen në Gazë duhen. Liruar pa kushte. Nuk ka asgjë për të diskutuar për këtë, pengjet duhet të lirohen. Është thjesht e papranueshme t'i mbash ata si mburoja njerëzore”, tha Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
Ministrat e jashtëm të BE-së thanë se ata përkrahin të drejtën e Izraelit të mbrojë vendin, por disa prej tyre kërkuan armëpushim për të shmangur vazhdimin e katastrofës humanitare.