Lidhje

Izraeli përditëson në 222 numrin e pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi


Ushtria izraelite njoftoi të hënën se forcat e saj tokësore kanë kryer një numër të kufizuar bastisjesh në Rripin e Gazës gjatë natës, ndërkohë që kanë vazhduar sulmet ajrore ndaj objektivave ku, sipas tyre, militantët palestinezë po grumbulloheshin në pritje të sulmit tokësor të Izraelit, që synon të shkatërrojë Hamasin.

“Sulmuam baza ushtarake dhe pika mbikëqyrjeje si pjesë e përgatitjes për fazat e tjera të luftës. Gjatë natës, me tanke dhe këmbësori kemi kryer disa bastisje. Këto bastisje janë operacione për të vrarë terroristë që po përgatiten për fazën e ardhshme të luftës. Bëhet fjalë për operacione që depërtojnë thellë në territor dhe me përballje të drejtpërdrejt me qëllim që të kërkojmë dhe gjejmë informacione zbulimi rreth pengjeve dhe të pagjeturve,” tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Admirali Daniel Hagari.

Sipas zyrtarëve izraelitë, ata po mbajnë rreth 1,000 të arrestuar dhe trupa të pjesëtarëve të Hamasit.

“Të gjithë janë anëtarë të Hamasit që po i marrim në pyetje, që i kemi identifikuar dhe klasifikuar në kuadër të përpjekjeve tona të zbulimit rreth pengjeve dhe të pagjeturve,” theksoi zoti Hagari.

Izraeli konfirmoi të hënën se 222 persona janë rrëmbyer nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit.

“Numri prej 222 pengjeve është numër i përditësuar dhe i ndryshuar në bazë të informacionit të zbulimit, që po mbledhim dhe gjetjeve tjera, meqë bëhet fjalë edhe për një numër jo të vogël të shtetasve të huaj,” tha zoti Hagari.

Ai tha se Izraeli po shpeshton sulmet ndaj Gazës dhe shpërthimet nga bombardimet të hënën ishin të dukshme në pjesën veriore të territorit, përfshirë edhe në pjesët ku civilëve palestinezë u është thënë të strehoheshin.

Sulmet ndaj Gazës kanë lënë të shkatërruara lagje të shumta dhe militantët palestinezë kanë vazhduar të hedhin raketa në drejtim të Izraelit.

Rreth gjysma e 2.3 milionë banorëve të Gazës kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe po jetojnë me pak ushqime dhe me ujë të ndotur. Spitalet thonë se kanë mungesë të pajisjeve mjekësore dhe karburantit për të mbajtur në funksion gjeneratorët dy javë pas ndërprerjes së rrymës në këtë territor.

Një dërgesë tjetër e vogël ndihmash humanitare u lejua të hynte në Rripin e Gazës, por Izraeli vazhdon të ndalojë depërtimin e karburanteve.

“Dua të nënvizoj, se furnizimet, siç janë karburantet, nuk lejohen për t’u futur në Gazë dhe ne po sigurohemi që ndihmat e agjencisë së OKB-së për Refushatët të mos bien në duart e Hamasit. Kemi mënyra për të inspektuar një gjë të tillë dhe nëse ka nevojë, do të ndërmarrim masa për t’u siguruar të mos ndodhë,” sipas zotit Hagari.

Kjo është dita e 17 e luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare, mbi 1,400 persona, shumica civilë, janë vrarë në sulmin e Hamasit në Izraelin jugor dhe sipas zyrtarëve palestinezë në Gazë, të paktën 4,651 persona janë vrarë në këtë territor.

XS
SM
MD
LG