Lidhje

6 të vdekur nga goditja e një rakete ruse në Ukrainë


Një sulm me raketa në një depo postare në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv, shkaktoi vdekjen e gjashtë personave, thanë zyrtarët ukrainas të dielën. 16 persona të tjerë u plagosën nga shpërthimi që ndodhi të shtunën vonë, që besohet të jetë shkaktuar nga goditja me një raketë ruse S-300, tha në mediat sociale guvernatori i Kharkivit, Oleh Syniehubov.

Të gjithë viktimat ishin punonjës të shërbimit postar privat ukrainas Nova Poshta. Në një deklaratë, kompania tha se sirena e sulmit ajror kishte rënë vetëm pak çaste para sulmit, duke mos u dhënë punoonjësve kohë të mjaftueshme për t’u strehuar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se goditja ishte një sulm ndaj një “objekti të zakonshëm civil”. “Ne duhet t'i përgjigjemi terrorit rus çdo ditë me rezultate në vijën e parë të frontit. Dhe për më tepër, duhet të forcojmë unitetin global për të luftuar kundër këtij terrori”, u shpreh ai në rrjetet sociale.

Po në rajonin e Kharkivit, tre persona u plagosën nga bombardimet ruse në qytetin Kupiansk, tha guvernatori Syniehubov. Qyteti i vijës së parë të frontit ka qenë në qendër të luftimeve të ashpra ndërsa Moska dhe Kievi po bëjnë përpjekje për përparime në fushën e betejës para se të fillojë dimri.

Zyrtarët në Ukrainën jugore thanë të dielën se ushtria ruse kishte goditur nga ajri rajonin e Khersonit me një numër rekord bombash në 24 orët e fundit.

XS
SM
MD
LG