Lidhje

Kamionët e ndihmave fillojnë të hyjnë në Gaza


Një autokolonë prej 20 kamionësh e Gjysmëhënës së Kuqe egjiptiane me ndihma humanitare, përfshirë ushqime, ilaçe dhe ujë, hyri në Rripin e Gazës të shtunën nga pikëkalimi i Rafahut në kufirin me Egjiptin.

"Këta kamionë duhet të lëvizin sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë të qëndrueshme dhe të sigurt nga Egjipti në Gaza," tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres të shtunën në një takim të nivelit të lartë në Kajro.
Ai falënderoi Egjiptin që bëri të mundur dërgimin e autokolonës.

"Por populli i Gazës ka nevojë për një angazhim shumë, shumë më të madh, për ndihma të vazhdueshme në nivelin e nevojshëm", tha ai. “Ne po punojmë pa pushim me të gjitha palët e përfshira për ta realizuar një gjë të tillë”.

Dhjetra kamionë po qendronin prej disa ditësh pranë Rafahut në pritje të hapjes së kufirit për të transportuar ndihma për më shumë se 2 milionë banorët e Gazës.

Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për çështje humanitare, Martin Griffiths tha në një deklaratë se "furnizimet jetike" janë siguruar nga Gjysmëhëna e Kuqe egjiptiane dhe Kombet e Bashkuara.

Është hera e parë që lejohet hyrja e ndihmës në Gaza që kur Hamasi ndërmori sulmin e pashembullt ndaj Izraelit më 7 tetor që shkaktoi vdekjen e rreth 1,400 vetëve. Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë bombardimesh dhe një bllokadë totale të Gazës. Më shumë se 4000 palestinezë janë vrarë. Izraeli ka paralajmëruar për një ofensivë nga toka.

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi për një marrëveshje për ndihmë të kufizuar për Gazën gjatë vizitës së tij në Tel Aviv të mërkurën, por zbatimi i saj nuk filloi menjëherë ndërsa Kombet e Bashkuara punonin me Egjiptin, Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për të qartësuar kushtet e saj dhe për të zbutur kufizimet e vendosura.

Programi Botëror i Ushqimit tha se tre nga kamionët e tij me ushqime të nevojshme ishin pjesë e autokolonës. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se kishte dërguar katër kamionë me paisje mjekësore për në Gaza.

Ambasada e SHBA-së në Izrael paralajmëroi se çdo shtetas i huaj që përpiqet të largohet nga Gaza ndërsa kalimi kufitar në Rafah është i hapur "duhet të jetë i përgatitur për një situatë që mund të jetë kaotike në të dy anët e vendkalimit".

XS
SM
MD
LG