Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, njoftoi të martën se Izraeli, kishte sulmuar me raketë spitalin e qytetit të mbushur me të plagosur dhe palestinezë që kanë gjetur aty strehim. Autoritetet njoftuan për mbi 500 të vrarë. Nëse konfirmohet, ky është sulmi më i përgjakshëm i ndërmarrë nga Izraeli në pesë luftëra që i ka zhvilluar në Gazë, nga viti 2008.
Në mediat sociale qarkulluan pamje në flakë të spitalit al-Ahli, xhama të thyer dhe pjesë nga trupat e viktimave shpërndarë gjithandej.
Disa spitale në qytetin e Gazës janë kthyer në vendstrehime për qindra njerëz, që shpresonin se spitalet nuk do të bombardoheshin pasi Izraeli kishte urdhëruar të gjithë banorët e qytetit dhe zonave përreth të evakuoheshin në pjesën jugore të Rripit të Gazës.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se ende nuk ka detaje për numrin e të vdekurve në spital: “Do të sigurojmë detajet dhe do të njoftojmë publikun. Nuk mund të them nëse ishte sulm ajror izraelit”.
Në pjesë jugore, sulmet e vazhdueshme lanë dhjetëra civilë të vrarë dhe të paktën një zyrtar të lartë të Hamasit. Zyrtarët amerikanë vazhduan përpjekjet për të bindur Izraelin të lejojë dërgimin e ndihmave.
Izraeli ka ndërprerë furnizimin me ujë, karburant dhe ushqime në Gazç që kur Hamasi kreu sulmin brutal javë e kaluar. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken arriti marrëveshje me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të diskutuar krijimin e një mekanizmi për depërtimin e ndihmës humanitare tek 2.3 milionë banorët e Gazës.
Por edhe të martën, kjo marrëveshje nuk kishte hyrë ende në fuqi. Një zyrtar i lartë izraelit tha se shteti i tij po kërkonte garanci që ndihmat të mos binin në dorë të militantëve të Hamasit. Kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit Tzahi Hanegbi, sugjeroi se depërtimi i ndihmës varet nga kthimi i pengjeve që po mbahen nga Hamasi.
Ndërkohë, në Gazë, dhjetëra të lënduar u dërguan në spitale pas sulmeve të fuqishme në dalje të qyteteve jugore Rafah dhe Khan Yunis, sipas banorëve. Një zyrtar i lartë i Hamasit dhe ish-ministër i Shëndetësisë Bassem Naim, tha se 27 persona janë vrarë në Rafah dhe 30 në Khan Yunis.
Sulmet e Izraelit ndaj Gazës kanë vrarë të paktën 2,778 persona dhe lënduar 9,700, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Gati dy të tretat e të vrarëve janë fëmijë, sipas një zyrtari të ministrisë.
Rreth 1,200 njerëz supozohet të jenë ende nën gërmadha në Gazë, sipas autoriteteve.
Mbi 1 milionë palestinezë janë larguar nga shtëpitë e tyre – rreth gjysma e popullatës së Gazës – dhe 60% e tyre janë tani në një zonë me gjatësi 14 kilometra në jug të zonës së evakuimit, sipas OKB-së.
Punonjësit humanitarë paralajmëruan se territori është pranë kolapsit të plotë. Spitalet rrezikojnë të mbeten pa energji elektrikë, duke rrezikuar jetën e mijëra pacientëve.