Lidhje

Macron i kujton Kosovës liberalizimin e vizave dhe premtimet e pambajtura


Kryeministr shqiptar Edi Rama dhe presidenti francez Emmauel Macron në konferencë shtypi në Tiranë
Kryeministr shqiptar Edi Rama dhe presidenti francez Emmauel Macron në konferencë shtypi në Tiranë

Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi sot Kosovën se nuk po mban premtimet e saj, falë të cilave ajo përfitoi dhe liberalizimin e vizave në zonën Schengen duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër ai kërkoi që presidenti serb Aleksandër Vucic të dënojë më vendosmëri ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë. Komentet e tij për zhvillimet në Kosovë u bënë gjatë një konference shtypi me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tiranë, ku ai zhvilloi vizitën e parë të një kreut të shtetit francez që kur Shqipëria shpalli pavarësinë e saj.

Deklarata e presidentit francez Macron në të cilën ai i kujtonte Prishtinës se si shenjë mirëbesimi vendi përfitoi liberalizimin e vizave, por se tani nuk po i përmbush angazhimet e marra, krijoi sot jo pak pështjellim. “Dua ta them një gjë shumë qartë. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Për sa i përket Francës, ato (vizat) janë hequr sepse Franca e mban premtimin e dhënë. Ndërsa fjala sot nuk po mbahet”. Një formulim që tingëllon edhe si një paralajmërim për të ardhmen.

Ndërsa kërkoi nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç që të "dënonte me vendosmëri ngjarjet e 24 shtatorit, duke kontribuar në rivendosjen e qetësisë në kufi", ai tregoi me tone të prera hapat që duhet të pasojnë, që nga "riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto janë bërë në kushte të papërshtatshme", te "pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione" deri te "themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës", deklaroi si duke nënvizuar se ato duhet "të realizohen me këtë renditje, në tërësi dhe plotësisht".

Franca së bashku me Gjermaninë janë dy vendet të cilat kanë ofruar një plan të përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Një plan të cilin Presidenti Emmanuel Macron e konsideroi "solid dhe të mirë", duke shtuar se pret që palët ta respektojnë atë.

Për kryeministrin Edi Rama, plani franko-gjerman është një mundësi e artë për Kosovën e cila duhet ta firmosë atë, pavarësisht se çfarë do të bëjë Serbia dhe “jo ka marrë sytë e miqve mbi vete dhe i jep miqve dhe aleatëve çdo ditë e çdo javë argumenta që të mërziten, që të zhgënjehen, të humbasin besimin e respektin. Kjo mund të ketë një kosto që sot nuk e llogarisim dot”.

Komentet për Kosovën u bënë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, në vizitën e parë të një kreu të shtetit francez në Shqipëri. Portreti i Presidentit Macron mbi fasadën e godinës së Universitetit të Tiranës, i bënte jehonë kësaj vizite, e konsideruar historike nga ana e zotit Rama. Kryeministri shqiptar e sheh atë si një angazhim për të thelluar marrëdhënien mes dy vendeve e cila vitet e fundit ka marrë një gjallërim të dukshëm. Kjo, sipas zotit Rama falë dhe angazhimit të Presidentit Macron "në kërkim të një marrëdhënieje shumë konkrete dhe shumë produktive, për Bashkimin Europian dhe për Ballkanin Perëndimor. Një marrëdhënie e cila duhet të tejkalojë procesin tradicional të integrimit evropian dhe duhet të jetë në gjendje që në çdo hap, t’u japë vendeve të Ballkanit Perëndimor mundësinë e bashkimit me Europën, pa rënë në kurthin e traditës së procesit të integrimit, i cili në këndvështrimin tim dhe fatmirësisht në këndvështrimin e Presidentit duhet të vazhdojë pabazuar në meritën e çdo vendi, por nuk duhet lënë që të bëhet një arsye për ankth dhe pasiguri në raport me të ardhmen europiane të vendeve tona".

Deklarimet e zotit Rama pasuan ato të presidentit Macron i cili tha se "Europa po hyn në një erë të re, atë të ribashkimit" dhe "në një moment kur rajonit duhet t’i jepet një vizibilitet historik". "Ai tha se "detyra jonë është t’iu shoqërojmë me respekt, por gjithashtu me prova dashurie. Domethënë investime konkrete, domethënë angazhim dhe mundësi për t’iu dhënë një vend politik të plotë. Komuniteti Politik Europian është një etapë e parë, por shpresoj që në muajt e ardhshëm ne si europianë të dimë të gjejmë rrugën e ribashkimit që na bën të mundur ta bëjmë këtë lëvizje, plotësisht të pakthyeshme dhe të fuqishme. Përndryshe do të jetë rreziku që e gjithë zona, që këto procese të pafund t’i dekurajojnë opinionet publike edhe ato më eurofilet, duke vendosur objektiva të paqarta, që bëhen shumë objektivë dhe një horizont që shkon gjithnjë e më lart. Nuk është ajo që dua unë".

Vizita e Presidentit Macron u shoqërua me nënshkrimin disa marrëveshjesh të cilat rroknin fusha nga ato të bashkëpunimit ekonomik, te kultura apo çështjet e sigurisë.

Së bashku, presidenti francez dhe kryeministri Rama vizituan shtëpinë e ish diktatorit komunist Enver Hoxha e cila pritet të kthehet në një qendër për njerëzit e artit.

XS
SM
MD
LG