BRUKSEL – Dy shtetas suedezë mbetën të vrarë nga të shtënat në Bruksel, ndërsa do të zhvillohej një ndeshje futbolli mes Belgjikës dhe Suedisë, njoftoi policia. Belgjika rriti nivelin e gatishmërisë kundër terrorizmit në nivelin e saj më të lartë.
Një burrë në një video në mediat sociale pretendoi se ishte autori i sulmit dhe se i përket Shtetit Islamik.
Kryeministri belg Alexander de Croo konfirmoi në platformën e mediave sociale X, se viktimat ishin suedezë, por nuk konfirmoi numrin e tyre. Sulmuesi, që e quajti veten me emrin Abdesalem Al Guilani dhe tha se është luftëtar për Allahun, tha se viktimat ishin tre, dhe jo dy.
“Sapo i ofrova ngushëllimet më të sinqerta kryeministrit suedez për sulmin e tmerrshëm të mbrëmjes së sotme ndaj shtetasve suedezë në Bruksel”, tha Kryeministri belg de Croo.
“Mendimet tona janë me familjet dhe miqtë që humbën të dashurit e tyre. Si partnerë të ngushtë, lufta ndaj terrorizmit është një luftë e përbashkët”, tha ai.
Një gazetë belge tha se kishte gjasa që viktimat të ishin tifozë sporti. Belgjika po luante në fushën e saj përballë Suedisë për fazën kualifikuese të kampionatit Euro 2024. Ndeshja u ndërpre gjatë pushimit pas gjysmës së parë, për shkak të arsyeve të sigurisë. UEFA njoftoi se do japë informacione në vazhdim.
Sulmi me armë zjarri vjen në një periudhë me shqetësime të larta për sigurinë në disa vende evropiane, për shkak të konfliktit Izrael-Hamas. Franca po dislokon 7 mijë forca në rrugët e saj, pasi një mësues u vra me thikë të premten, gjatë një sulmi që Presidenti Emmanuel Macron e dënoi si “një terrorizëm barbar islamik”.
Një zëdhënës i policisë belge konfirmoi të hënën se dy persona ishin vrarë në një incident me të shtëna pranë qendrës së kryeqytetit belg, por nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.
Një zëdhënës i prokurorisë së Brukselit, që po merret me rastin, gjithashtu nuk pranoi fillimisht të jepte ndonjë detaj në lidhje me viktimat, apo ndonjë motiv të mundshëm. Më pas, prokuroria tha se ka patur 2 viktima dhe një të plagosur nga një sulm me armë zjarri.
Pamjet filmike të publikuara në faqen e internetit të gazetës “Het Laatste Nieuws” tregojnë një burrë me xhaketë portokalli në një skuter në një kryqëzim rruge, me një pushkë nga e cila dallohen fillimisht dy të shtëna, të pasuara nga tre të tjera. Më pas ai vrapon drejt një ndërtese, qëllon dy herë të tjera, dhe ndërsa fillon të largohet, bën disa hapa mbrapa dhe qëllon edhe një herë tjetër me armë.
Një gazetë belge tha se një dëshmitar e kishte dëgjuar sulmuesin të bërtiste "Allahu Akbar" përpara se të hapte zjarr.
Franca po forcon kontrollet në kufirin me Belgjikën pas sulmit vdekjeprurës në Bruksel, thanë mediat belge.
Qendra e krizave në Belgjikë paralajmëroi publikun që të mos bëjë asnjë udhëtim të panevojshëm në kryeqytet.