Lidhje

Pentagoni bën gati 2,000 ushtarë për dislokim në Lindje të Mesme


Pentagoni u ka dërguar afro 2,000 ushtarëve amerikanë urdhrin “përgatitje për dislokim”, duke i paralajmëruar që të jenë gati të përgjigjen në luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, sipas dy zyrtarëve amerikanë që ranë dakord të flasin me kusht që të mos identifikohen pasi vendimi nuk është njoftuar ende.

Ushtarët do të kenë role të ndryshme mbështetëse, si në dhënien e ndihmës mjekësore, pastrimin e minave apo të ofrojnë siguri shtesë nëpër pika të kalimit, sipas një zyrtari.

Ata nuk do të dërgohen në Izrael, por në shtetet përreth në rajon.

Presidenti rus Putin do të bisedojë me Kryeministrin izraelit Netanyahu

Presidenti rus Vladimir Putin ka biseduar me udhëheqësit egjiptianë, iranianë, sirianë dhe palestinezë, për të nxitur që t’iu jepet fund armiqësive.

Kremlini njoftoi përmes një deklarate se zoti Putin kishte nënvizuar “papranueshmërinë e çfarëdo forme të dhunës ndaj civilëve” dhe theksoi se Moska ka dorëzuar një rezolutë në Këshillin e Sigurimit që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar.

Sipas deklaratës, zoti Putin dhe bashkëbiseduesit e tij shprehën “shqetësim ekstrem” për përshkallëzimin e armiqësive, “rritjen katastrofike të numrit të viktimave civile dhe thellimin e krizës humanitare” në Gaza.

Zoti Putin konfirmoi thirrjen e Rusisë për të rinisur procesin politik që të ndihmojë “në arritjen e një zgjidhjeje afatgjate dhe të drejtë për çështjen palestineze mbi bazë ligjore të njohur ndërkombëtarisht, që do të parashikonte krijimin e shtetit të pavarur palestinez që bashkëjeton në paqe dhe siguri me Izraelin.”

Këshilltari për marrëdhënie me jashtë i zotit Putin, Yuri Ushakov tha se zoti Putin do të bisedonte të hënën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Kriza humanitare në Rripin e Gazës

Mbi një milion njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës në pritje të sulmit tokësor izraelit që synon të eliminojë Hamasin pas sulmit vdekjeprurës ndaj Izraelit. Organizatat humanitare paralajmërojnë se një ofensivë tokësore e Izraelit do të përshpejtonte krizën humanitare.

Forcat izraelite, të mbështetura nga anijet luftarake amerikane, u pozicionuan përgjatë kufirit të Gazës dhe po stërviten për atë që Izraeli e quajti një fushatë të gjerë për të shkatërruar grupin militant.

Lufta që filloi me 7 tetor është lufta më e përgjakshme e luftës me Gazën, me 4,000 të vdekur deri më tani. Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi se 2,750 palestinezë janë vrarë dhe 9,700 janë plagosur. Mbi 1,400 izraelitë janë vrarë dhe të paktën 199 të tjerë, përfshirë fëmijë, janë rrëmbyer nga Hamasi dhe janë dërguar në Gaza, sipas Izraelit.

XS
SM
MD
LG