Lidhje

Izraeli thotë se palestinezët mund të vazhdojnë të largohen nga Gaza


Ushtria izraelite tha të dielën se do të vazhdojë të lejojë banorët e Gazës të evakuohen nga jugu dhe qindra mijëra ishin larguar tashmë, ndërsa trupat e saj bëheshin gati për një sulm tokësor në Rripin e Gazës të kontrolluar nga Hamasi.

Izraeli është zotuar ta asgjësojë grupin militant Hamas që kontrollon Gazën në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit më të rëndë ndaj civilëve në historinë e vendit, duke vrarë rreth 1,300 vetë dhe duke marrë një numër të madh pengjesh.

Që pas atij sulmi forcat izraelite e kanë vënë Rripin e Gazës që kontrollohet nga Hamasi dhe ku banojnë 2.3 milionë palestinezë, nën një rrethim total dhe e kanë bombarduar atë me sulme ajrore të përmasave të pashembullta.

Punonjësit e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar nga sulmet ajrore të natës. Thuhet se një milion njerëz kanë lënë shtëpitë e tyre.

Në rrugët e ngushta të Gazës, kushtet po përkeqësohen ndërsa numri i të vdekurve nga goditjet ajrore të Izraelit është rritur.

Autoritetet e Gazës thonë se më shumë se 2,670 vetë janë vrarë, një e katërta e të cilëve fëmijë dhe rreth 10,000 janë plagosur.

Irani që mbështet Hamasin, ka vlerësuar sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, por ka mohuar çdo përfshirje.

Hamasi tha në një deklaratë do të vazhdojë bashkëpunimin me Iranin, për të arritur qëllimet e grupit.

Dhuna në Gaza është shoqëruar me përleshjet më vdekjeprurëse në kufirin verior të Izraelit me Libanin që nga viti 2006, duke rritur frikën e përhapjes së luftës në një front tjetër.

Këshilltari i sigurisë kombëtare i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi të shtunën grupin militant libanez Hezbollah, i mbështetur gjithashtu nga Irani, të mos ndërmarrë veprime që mund të çojnë në "shkatërrimin e Libanit".

Përleshjet në kufirin e Izraelit me Libanin, të cilat deri më tani kanë qenë të kufizuara, rifilluan të dielën kur luftëtarët e Hezbollahut lëshuan një raketë në një fshat kufitar izraelit, duke vrarë një person dhe duke plagosur tre të tjerë.

Ushtria izraelite tha se po kundërpërgjigjej.

Mes përpjekjeve diplomatike për të kontrolluar luftën, kushtet brenda Gazës - ku uji, energjia dhe furnizimet mjekësore janë ndërprerë - vazhduan të përkeqësohen.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha herët të dielën se 300 njerëz, kryesisht fëmijë dhe gra, ishin vrarë dhe 800 të tjerë ishin plagosur në Gaza gjatë 24 orëve të fundit. E vetmja rrugë për të dalë nga Gaza që nuk është nën kontrollin e Izraelit është një pikë kontrolli me Egjiptin në Rafah. Egjipti zyrtarisht thotë se ana e tij është e hapur, por trafiku është ndalur prej ditësh për shkak të sulmeve izraelite. Burimet egjiptiane të sigurisë thanë se Kajro nuk ka ndërmend të pranojë një fluks masiv refugjatësh.

XS
SM
MD
LG