Lidhje

Integrimi në BE mbetet angazhim kryesor i shoqërisë dhe Kuvendit në Shqipëri


Integrimi në BE Konferenca
Integrimi në BE Konferenca

Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot një konferencë mbi rolin e institucioneve ligjvënëse në Procesin e Berlinit, me pjesëmarrjen e parlamentarëve dhe shoqërisë civile të rajonit, disa ditë para Takimit që do të mbahet në Tiranë të hënën.

Parlamentet e rajonit nuk kanë qenë pjesë e Procesit të Berlinit, ndonëse çdo reformë kalon për miratim përmes tyre, u theksua në tubim.

Pjesëmarrësit në konferencën e sotme pohuan se parlamentet mund të luajnë një rol më të madh edhe në zhvillimet e brendshme të secilit vend, edhe në marrëdhëniet dypalëshe e shumëpalëshe në Ballkanin Perëndimor.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, thotë se mirëkuptimi parlamentar për çështje të integrimit bazohet në mbështetjen e gjerë qytetare për integrimin europian.

“Mbështetja e popullit shqiptar për integrim në Bashkimin Europian është më e madhja se çdo popull në rajon e më gjerë. Kjo ëhstë arsyeja që Kuvendi po përshpejton reformat integruese dhe demokratizuese, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe për të shpëtuar nga kultura e pandëshkueshmërisë”, tha zonja Nikolla.

Pjesëmarrësit pohuan se çdo zhvillim ekonomik vjen përmes një mjedisi të shëndetshëm, ku investuesit të ndjehen të sigurtë për investimin e tyre, ndaj duhen reforma si ajo e sistemit të drejtësisë dhe bashkëpunim politik në çështje me interes kombëtar. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, drejtuese e komisionit për integrimin europian në Kuvendin e Shqipërisë, thotë se agjenda ekonomike dhe ajo arsimore e Procesit të Berlinit janë temë kryesore e integrimit europian.

“Integrimi europian duhet ta bëjë bashkë politikën. Të gjithë ne duhet të bëjmë diçka, opozitë apo qeveri, pavarësisht se ku jemi sot apo ku do të jemi nesër, për ta ndryshuar realitetin për qytetarët shqiptarë dhe ata të rajonit”, tha zonja Tabaku.

Shtimi i produkteve të bashkëpunimit rajonal është me rëndësi, pohuan pjesëmarrësit. Dy vjet më parë u krijua një zonë e lirë roaming për telefoninë në rajon, ndërsa nga tetori i këtij viti u bë një ulje e ndjeshme e tarifave të telefonatave roaming me Bashkimin Europian. Lëvizshmëria e profesioneve të rregulluara brenda Ballkanit perëndimor dhe korridoret e gjelbra janë shembuj të tjerë të bashkëpunimit rajonal.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se Procesi i Berlinit synon të shtojë bashkëpunimin diplomatik e politik në rajon, si dhe të përmirësojë procese të brendshme me reforma.

“Ka ardhur koha që edhe në aspektin politik, parlamentet e rajonit të jenë të bashkuar dhe të shohin përpara drejt BE-së, sepse kjo është e vetmja rrugë ku mund të ecë dhe të integrohet dhe të lërë pas dhe të fshijë narrativat jo të mira”, tha zoti Hasani.

Bashkimi Europian e ka vendosur ekonominë e rajonit në qendër të diskutimeve për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Drejtuesi i Delegacionit të Bashkimit Europian në SHqipëri, ambasador Lugi Soreca, tha në konferencë se është me rëndësi që krahas qeveritarëve, në Takime si ai Procesit të Berlinit, që

mbahet të hënën në Tiranë, duhet të takohen edhe përfaqësuesit e parlamenteve, përfaqësuesit e popujve, të bashkëpunojnë dhe të dalin me deklarata të përbashkëta me të njëjtin zë.

“Ballkani perëndimor është pjesë e Bashkimit Europian dhe zgjerimi me anëtarësimin e tyre është një çështje me rëndësi strategjike për sigurinë. Të gjithë bashkë duhet të përshpejtojmë reformat në rajon, në mënyrë që të përshpejtohet edhe hyrja në Bashkimin Europian. Shqipëria e ka integrimin në krye të agjendës së vet, ndaj duhet mbajtur lart motivimi qytetar për këtë”, tha ambasadori Soreca.

Transporti, agjenda digjitale, energjia dhe tregu i përbashkët janë disa nga projektet e planit të rritjes ekonomike në rajon. Drejtuesit më të lartë të BE-së do të vijnë në fundjavë për të detajuar planet e zhvillimit ekonomik rajonal, ndërsa të hënën do të marrin pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, i cili zhvillohet për herë të parë në një vend joanëtar i BE-së.

XS
SM
MD
LG