Dhjetëra mijëra myslimanë protestuan të premten në të gjithë Lindjen e Mesme në mbështetje të palestinezëve dhe kundër sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës, një ngjarje që thekson rrezikun e shpërthimit të një konflikti më të gjerë rajonal ndërsa Izraeli përgatitet për një ndërhyrje me forca tokësore.
Nga Amani në Jordani, deri në kryeqytetin e Jemenit, Sana, myslimanët dolën në rrugë pas lutjeve të së premtes, të zemëruar nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës. Sulmet ajrore të ushtrisë izraelit pasuan një sulm të pashembullt të Hamasit ndaj Izraelit të shtunën e kaluar.
Në Xhaminë Al-Aksa në Jeruzalem, policia izraelite lejoi pjesëmarrjen e vetëm të moshuarve, grave dhe fëmijëve në lutjet e së premtes për të kufizuar potencialin për dhunë. Zakonisht dhjetëra mijëra njerëz marrin pjesë në lutjet e së premtes në këtë xhami.
Sipas një gazetari të agjencisë së lajmeve Associated Press, që ndodhej atje, policia lejoi vetëm një vajzë adoleshente palestineze dhe nënën e saj të hynin në xhami nga gjithsej 20 besimtarë që u përpoqën të hynin brenda, disa prej tyre mbi moshën 50 vjeç. Të rinjtë palestinezë, të cilët nuk e lejuan të hynin në xhami, qëndruan para portave të saj derisa policia i detyroi të largoheshin nga zona.
"Ne nuk mund të jetojmë, nuk mund të marrim frymë, ata po vrasin gjithçka që është e mirë brenda nesh", tha 57-vjeçari Ahmad Barbour, i cili ishte i zemëruar nga veprimi i policisë izraelite.
“Çdo gjë që është e ndaluar për ne, u lejohet atyre”, shtoi ai, duke iu referuar izraelitëve. Xhamia ndodhet në një kompleks në një zonë, që konsiderohet e shenjtë si nga hebrenjtë ashtu dhe nga myslimanët, dhe pretendimet kontradiktore kanë shkaktuar konflikte të dhunshme në të kaluarën. Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame dhe ndodhet në një vend të njohur për hebrenjtë si Mali i Tempullit, i cili është vendi më i shenjtë i çifutëve.
Policia më vonë përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestat në Jeruzalemin lindor. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se mjekët e saj trajtuan gjashtë persona të plagosur, me të paktën një të rrahur nga policët izraelitë.
Në Bejrut, mijëra mbështetës të Hezbollahut valëvitën flamujt libanezë, palestinezë dhe të Hezbollahut, duke brohoritur parulla në mbështetje të Gazës dhe duke thirrur "vdekje Izraelit". Ky grup militant në Liban, i mbështetur nga Irani, ka kryer sulme ndaj Izraelit pas sulmit të Hamasit, por nuk është angazhuar në një luftë të hapur me ushtrinë izraelite.
Megjithatë, zëvendëssekretari i përgjithshëm i Hezbollahut paralajmëroi se grupi do të "vëzhgojë" anijet detare të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë në Detin Mesdhe. Zyrtarët amerikanë, përfshirë presidentin Joe Biden, kanë paralajmëruar vazhdimisht Iranin dhe grupet militante të mbështetura nga Teherani në Lindjen e Mesme, që të mos përfshihen në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit.
"Luftanijet dhe deklaratat tuaja nuk na trembin", tha Naim Kassim në një tubim në jug të Bejrutit. "Hezbollahu do të vëzhgojë hapat e armikut dhe ne jemi në gatishmëri të plotë. Nëse është e nevojshme, ne do të ndërmarrim veprime në kohën e duhur." Në Bagdad, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në sheshin Tahrir për protesta të thirrura nga kleriku shiit me ndikim dhe udhëheqësi politik Muqtada al-Sadr.
“Le të tmerrojë kjo protestë të keqen e madhe, Amerikën, e cila mbështet terrorizmin zionist kundër njerëzve tanë të dashur në Palestinë”, tha al-Sadr në një deklaratë, të publikuar në internet.
Në të gjithë Iranin, një mbështetës i Hamasit dhe armik rajonal i Izraelit, u mbajtën protesta kundër sulmeve ajrore në Rripin e Gazës. Në Teheran, kryeqyteti i vendit, ata dogjën flamujt izraelitë dhe amerikanë, duke brohoritur: "Vdekje Izraelit", "Vdekje Amerikës".
"Populli palestinez është i ngopur, tani ju doni të shkatërroni Gazën, shtëpitë e njerëzve", tha presidenti i vijës së ashpër të Iranit, Ebrahim Raisi gjatë një fjalimi në një provincë në jug të vendit. "Njerëzit e botës dhe ata të Palestinës do t'ju shkaktojnë telashe."
Në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, që kontrollohet nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani, të cilët janë në luftë me një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite, pamjet e drejtpërdrejta televizive tregonin grumbullimin e protestuesve në rrugë, të cilët valëvisnin flamujt e Jemenit dhe Palestinës. Slogani i rebelëve ka qenë prej kohësh: "Zoti është më i madhi; vdekje Amerikës; vdekje Izraelit; fitore për Islamin".
Pas lutjeve në Islamabad, kryeqyteti i Pakistanit, disa besimtarë shkelën mbi flamujt amerikanë dhe izraelitë, në shenjë zemërimi. Protestat atje u ndërprenë në mënyrë paqësore, megjithëse priten protesta të tjera më të mëdha gjatë ditës.
"Mediat dhe gjykatat ndërkombëtare po mbyllin sytë ndaj padrejtësive që po u bëhen palestinezëve. Ata po theksojnë vetëm veprimet që palestinezët po ndërmarrin për të mbrojtur veten", tha besimtari mysliman nga Karaçi, Faheem Ahmed. "Ata e quajnë atë terrorizëm. Sot, të premten, ne i lutemi Allahut të ndihmojë dhe të ngrejë Palestinën dhe të shkatërrojë Izraelin", tha ai.