Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) u bënë thirrje të premten civilëve që të largohen nga qyteti i Gazës "për hir të sigurisë dhe mbrojtjes së tyre".
Në një deklaratë në rrjetin X, i njohur më parë si Twitter, zëdhënësi i IDF-së Jonathan Conricus tha se "IDF-ja bën thirrje për evakuimin e të gjithë civilëve nga qyteti i Gazës në drejtim të jugut, për sigurinë e tyre”.
"Do të mund të ktheheni në qytetin e Gazës vetëm pas një njoftimi tjetër që do ta lejojë atë. Mos iu afroni zonës së gardhit të sigurisë me shtetin e Izraelit", tha ai.
Thirrja pasoi një deklaratë të Kombeve të Bashkuara të enjten vonë se zyrtarët ushtarakë izraelitë e kishin informuar atë se e gjithë popullsia e Gazës veriore, rreth 1.1 milionë njerëz, duhet të zhvendoset në Gazën jugore brenda 24 orësh.
“Kombet e Bashkuara e konsiderojnë të pamundur që një lëvizje e tillë të ndodhë pa pasoja shkatërruese humanitare”, tha në një deklaratë zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric. “Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje me forcë që çdo urdhër i tillë, nëse konfirmohet, të anulohet, duke shmangur shndërrimin e asaj që tashmë është një tragjedi, në një situatë katastrofike”.
Zëdhënësi Dujarric tha se urdhri vlen gjithashtu për të gjithë personelin e Kombeve të Bashkuara që strehohen në objektet e OKB-së, përfshirë shkollat, qendrat shëndetësore dhe klinikat.
Popullsia e Gazës tashmë po jeton nën një rrethim të plotë të vendosur këtë javë në territorin e kontrolluar nga Hamasi, si hakmarrje për sulmet vdekjeprurëse të së shtunës ndaj Izraelit, që lanë pas vetes qindra civilë të vrarë. Palestinezët që jetojnë atje janë pa energji elektrike, ujë dhe karburante.
Urdhri u dha pasi Izraeli rriti përgatitjet për një pushtim tokësor të Gazës, duke përfshirë pozicionimin e 300,000 rezervistëve pranë kufirit me Gazën, por ende nuk është marrë asnjë vendim për të filluar një ofensivë.
Izraeli nisi sulme të reja të enjten, duke u zotuar se bombardimet e Gazës nuk do të pushojnë derisa militantët e Hamasit të lirojnë rreth 150 pengje.
Të enjten, grupi për të drejtat e njeriut Human Rights Watch tha se Izraeli përdori fosfor të bardhë në operacionet ushtarake në Gaza të mërkurën, gjë që përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar. Fosfori i bardhë mund të shkaktojë djegie të rënda dhe probleme afatgjata shëndetësore.
"Nuk kishte asnjë përdorim të fosforit të bardhë në Rripin e Gazës. Pikë”, u tha gazetarëve të enjten zëdhënësi i IDF-së, nënkoloneli Amnon Sheffler.
Një fushatë e sulmeve ajrore izraelite që filloi disa orë pas sulmit të shtunës të kryer nga Hamasi, la pas vetes të paktën 1500 të vrarë në Gaza. Izraeli thotë se ka hedhur 6,000 bomba gjatë gjashtë ditëve të bombardimeve. Zëdhënësi i IDF-së, Conricus tha të premten se 1,300 civilë dhe ushtarë izraelitë janë vrarë dhe më shumë se 3,000 janë të plagosur.
"Numri i viktimave po rritet çdo orë," tha për për Alhurran, një organizatë simotër e Zërit të Amerikës në gjuhën arabe, Bashar Murad, drejtor i grupit humanitar të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze. “Numri i të vdekurve dhe të plagosurve që kanë mbërritur në spitale është shumë më i madh se kapaciteti i këtyre spitaleve”.
Shtetet e Bashkuara thanë se 27 amerikanë u vranë në sulmin e Hamasit dhe 14 janë në mesin e të zhdukurve.
Kombet e Bashkuara thanë se rreth 340,000 palestinezë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Gaza, me më shumë se dy të tretat e tyre të strehuar në shkollat e OKB-së. Organizata nisi një thirrje humanitare të enjten për 294 milionë dollarë mbështetje për të përmbushur nevojat e menjëhershme në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Organizatat humanitare alarmuan për pakësimin e shpejtë të furnizimeve me ushqim, ujë, karburant dhe ilaçe në Gaza, në mes të një bllokadë izraelite të rripit të ngushtë të tokës përgjatë Detit Mesdhe.
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian tha se "vazhdimi i krimeve të luftës kundër Palestinës dhe Gazës do të marrë një përgjigje nga pjesa tjetër e boshtit. Dhe natyrisht, entiteti sionist dhe mbështetësit e tij do të jenë përgjegjës për pasojat”. Ai i bëri këto komente ndërsa po fliste përmes një përkthyesi pas mbërritjes së tij në Bejrut.
Irani dhe Izraeli janë armiq dhe Irani mbështet Hamasin, por zyrtarët iranianë kanë mohuar çdo përfshirje në sulmin e fundit të Hamasit.
Ndërkohë, shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Herzi Halevi, pranoi të enjten se ushtria kishte dështuar të mbrojë ata që jetojnë pranë Gazës kur Hamasi filloi sulmin e tij.
Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi theksoi nevojën për të "siguruar shërbimet humanitare si dhe ndihmën për banorët në Rripin e Gazës".
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ka dokumentuar 34 sulme në qendrat shëndetësore në Gaza që nga e shtuna, të cilat kanë çuar në vdekjen e 11 punonjësve të kujdesit shëndetësor në detyrë, si dhe plagosjen e 16 të tjerëve.
Ndërkohë, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka dokumentuar të paktën shtatë gazetarë të vrarë në Gaza që nga e shtuna.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha të enjten se Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur veten pas sulmit të Hamasit, duke theksuar gjithashtu nevojën për të marrë masa paraprake për të parandaluar dëmtimin e civilëve të pafajshëm.
Sekretari Blinken do të vizitojë gjithashtu Jordaninë, ku një zyrtar amerikan tha se do të takohet të premten me presidentin palestinez Mahmud Abbas dhe mbretin jordanez, Abdullahu i II-të.
Gjithashtu të premten, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim me dyer të mbyllura për të diskutuar zhvillimet.
NATO-ja tha se ministrat e mbrojtjes që u mblodhën të enjten në Bruksel, dënuan sulmin e Hamasit, shprehën solidaritetin e tyre me Izraelin dhe u bënë thirrje militantëve që të lirojnë menjëherë të gjithë pengjet.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se do t'i japë fund sundimit të Hamasit në Gaza, në mënyrë që militantët të mos kërcënojnë më Izraelin.