Lidhje

SHBA, vazhdojnë paqartësitë për kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve


Ligjvënësi Steve Scalise/AP
Ligjvënësi Steve Scalise/AP

Ligjvënësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve u takuan të enjten prapa dyerve të mbyllura në përpjekje për të zgjidhur ngërçin që po pengon përzgjedhjen e ligjvënësit Steve Scalise si kryetar.

Aktualisht, zoti Scalise ka siguruar emërimin e partisë së tij për të zëvendësuar kryetarin e shkarkuar Kevin McCarthy, por atij i mungojnë 217 vota për të siguruar pozitën, ndërkohë që disa nga ligjvënësit republikanë deklaruan se nuk do të votojnë për të.

Të enjten, kandidatura e zotit Scalise hasi pengesa. Ndërkohë që republikanët u mblodhën për të shqyrtuar alternativat, disa prej tyre thanë se do të vazhdojnë ta përkrahin rivalin e tij, ligjvënësin Jim Jordan, i cili humbi përballë zotit Scalise në një votim të fshehtë të mbajtur të mërkurën. Republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një epërsi të vogël dhe për votimin e kryetarit ata nuk mund të humbin më shumë se katër vota të ligjvënësve republikanë.

Zoti McCarthy, i cili u shkarkua nga një grup i vogël republikan më 3 tetor, u tha gazetarëve se zoti Scalise kishte para vetes “një pengesë të madhe” për të siguruar 217 votat. “U ka thënë shumë njerëzve se do t’i ketë 150 vota, por nuk i kishte,” tha zoti McCarthy.

Zënkat e brendshme të republikanëve ia kanë pamundësuar Dhomës së Përfaqësuesve të ndërmarrë veprime në përkrahje të luftës së Izraelit kundër militantëve palestinezë të Hamasit dhe të rifillojë shqyrtimin e buxhetit ndërkohë që afati për të, i caktuar me 17 nëntor, po afron.

Zoti McCarthy u shkarkua pasi arriti marrëveshje me demokratët për të shmangur mbylljen e pjesëshme të qeverisë.

Zoti Jordan u ka thënë përkrahësve të tij të votojnë për zotin Scalise, sipas një burimi që foli me kusht që mos t’i publikohet emri.

Por, disa prej tyre thanë se nuk do të lëkunden nga qëndrimi i tyre. “Edhe pse ky proces mund të marrë më shumë kohë, është jetike që të luftojmë që të marrim një vendim të duhur,” tha ligjvënësi Andrew Clyde, përkrahës i zotit Jordan.

Ndonëse zoti McCarthy ishte kryetari i parë i shkarkuar përmes votimit formal, dy republikanë të tjerë që kanë pasur këtë pozitë, u larguan nga posti për shkak të trysnisë nga krahu radikal i partisë.

“Është e qartë se kjo nxjerr në dritë negative Kongresin dhe vendin,” tha ligjvënësi republikan Dusty Johnson.

Demokratët kanë mbështetur udhëheqësin e tyre, Hakeem Jeffries, gjatë votimeve tjera për kryetar të Dhomës dhe pritet të veprojnë njësoj edhe kësaj radhe. Një këshilltar i udhëheqësve demokratë, që foli me kusht që të mos i bëhej emri publik, tha se demokratët janë të gatshëm të mbështesin një kandidat kompromisi mes dy partive, por se republikanët ende nuk i kanë kontaktuar.

Zoti Scalise, 58 vjeçar, është i respektuar në radhët e Partisë Republikane; ai u plagos rëndë në vitin 2017 kur një person hapi zjarr gjatë një stërvitje për një lojë bejzbolli. Ai po ashtu gëzon reputacionin e një ligjvënësi veteran, që ka kaluar vite të tëra në pozita udhëheqëse.

Por zoti Scalise përballet me shqetësime të reja shëndetësore ndërkohë që po i nënshtrohet një trajtimi për kancer në gjak. Disa nga përkrahësit e zotit Jordan iu referuan çështjeve shëndetësore si arsye se pse nuk po e mbështesin kandidaturën e zotit Scalise.

“Kam simpati për Steve Scalise dhe e vlerësoj aq shumë saqë do doja që të fitonte betejën me kancerin, në vend që të sakrifikojë shëndetin e tij duke mbajtur postin më të vështirë në Kongres”, tha ligjvënësja Marjorie Taylor Greene, e cila mbështet kandidaturën e zotit Jordan.

Zoti Jordan u përkrah nga ish Presidenti Donald Trump dhe ishte kandidati më i pëlqyer nga ligjvënësit me prirje populiste.

“Steve është njeri që përballet me vështirësi serioze me kancerin. Ai duhet të kujdeset për shëndetin e tij ,” deklaroi zoti Trump në një intervistë me radion Fox News.

XS
SM
MD
LG