Lidhje

Kievi mund të furnizohet me avionë luftarakë F-16 në pranverë


Shtetet e Bashkuara po i dhurojnë Ukrainës deri në 200 milionë dollarë ndihmë ushtarake shtesë në një paketë të re e cila u njoftua të mërkurën.

Ndihma vjen ndërsa administrata e Presidentit Biden po përpiqet të zbusë shqetësimet se nevojat në rritje të Ukrainës dhe tani lufta e Izarelit me militantët e Hamasit mund të mbingarkojnë Shtetet e Bashkuara.

Materiali i përgatitur nga korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb sjell më shumë hollësi edhe mbi mundësinë e furnizimit të Ukrainës me avionë luftarakë F-16.

Shtetet e Bashkuara do të mbështesin përpjekjet e Ukrainës dhe Izraelit për të mbrojtur vendet e tyre, njëri kundër pushtuesve rusë, ndërsa tjetri kundër militantëve të Hamasit.

“Absolutisht, ne mund t’i bëjmë të dyja dhe do t’i bëjmë të dyja. Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme për të ndihmuar aleatët dhe partnerët tanë dhe që të sigurohemi se ruajmë aftësitë për të mbrojtur interesat tona dhe për të mbrojtur vendin tonë”, thotë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy iu bashkua Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në Bruksel, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Austin theksoi mbi 1 miliard dollarë ndihmë të re nga vendet anëtare, përfshirë një tjetër sistem të mbrojtjes ajrore Patriot dhe 10 tanke të tjera Leopard nga Gjermania.

Zoti Austin tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në udhëheqjen e koalicionit që po punon për t’i siguruar Ukrainës avionë luftarakë F-16.

“Kjo do të marrë muaj, siç kemi thënë më parë. Pranvera e ardhshme është periudha më e hershme kur mund të shohim kapacitetet e para”, thotë zoti Austin.

Të mërkurën u mbajt takimi i parë i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës që kur Kongresi amerikan e hoqi ndihmën e re për Ukrainën nga një projektligj për shpenzimet e buxhetit të miratuar muajin e kaliuar për të parandaluar mbylljen e qeverisë.

“Mbështetja dypartiake për Ukrainën vazhdon. Sigurisht, demokracitë duan kohën e tyre për të zgjidhur gjërat”, tha zoti Austin.

Shtetet e Bashkuara njoftuan gjithashtu një paketë ndihme që do t’i siguronte Ukrainës deri në 200 milionë dollarë më shumë armë nga rezervat ushtarake amerikane.

“E kuptoj që gjatë muajve të dimrit bëhet më sfiduese, por Ukraina synon të vazhdojë operacionet e saj sulmuese gjatë muajve të dimrit. Unë besoj, bazuar në atë që kam dëgjuar nga secili vend, ne po bëjmë gjithçka që duhet që ata të jenë të suksesshëm”, thotë Gjeneral Charles Quinton Brown Jr., Shef i Shefave të Shtabit të Bashkuar.

Paketa e ndihmës amerikane përfshin më shumë municione për sistemet e artilerisë HIMARS dhe më shumë raketa TOW për t’iu kundërpërgjigjur tankeve ruse.

XS
SM
MD
LG