Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken niset të mërkurën për një vizitë në Izrael ku do të takohet me udhëheqësit e lartë të vendit, tha të martën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Vizita bëhet në shenjë solidariteti me Izraelin pas sulmit të pashembullt të Hamasit që shkaktoi vdekjen e më shumë se 1000 izraelitëve gjatë fundjavës.
“Do të jetë një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje”, tha zoti Miller në një konferencë shtypi. "Ai do të flasë me udhëheqësit e Izraelit, të dëgjojë drejtpërdrejt prej tyre për situatën me të cilën po përballen... për nevojat e tyre dhe se si mund t'i mbështesim në mënyrën më të mirë të mundshme."
Zoti Miller tha se sekretari Blinken do të mbërrijë në Izrael të enjten.
Hamasi ndërmori një sulm të befasishëm ndaj Izraelit të shtunën, duke vrarë qindra izraelitë dhe duke kapur dhjetëra pengje. Ambasada e Izraelit në Uashington tha se numri i të vdekurve nga sulmet e fundjavës ka kaluar shifrën 1000.
Në kundërpërgjigje, ndërmori sulme ajrore në Gaza. Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se të paktën 830 palestinezë janë vrarë dhe deri në 4,250 janë plagosur nga sulmet ajrore që nga e shtuna.
Kombet e Bashkuara thanë se më shumë se 180,000 banorë të Gazës kanë mbetur të pastrehë.