Ndërkohë që luftimet në Izrael vazhdojnë, izraelitët po mundohen të mësojnë përmasat e sulmit të së shtunës nga grupi militant Hamas dhe pasojat që ai do të ketë mbi të ardhmen e vendit. Një ish ushtar izraelit, i shndërruar në aktivist kundër luftës dhe një analist sigurie në Jerusalem i thanë koleges Garentina Kraja se shkalla e tragjedisë përbën një katastrofë epike për Izraelin dhe shprehin shqetësimin se nga ky moment jetët e tyre do të ndryshojnë përgjithmonë.
Për Ariel Bernstein, një ish ushtar izraelit i shndërruar në aktivist kundër luftës, sulmi i grupit militant Hamas ndaj Izraelit i ngjan një skenari apokaliptik, për dhunën mizore të së cilit, siç thotë ai, është aq i tronditur, sa e ka të vështirë të gjejë fjalët për ta përshkruar.
“Mënyra se si të moshuarit, gjyshërit dhe nipat e tyre janë masakruar në shtëpitë e tyre, se si i kanë tërhequr për flokësh dhe i kanë poshtëruar në grumbuj kufomash. Fëmijë të tmerruar, të rrëmbyer e ndarë nga prindërit. Mungesa e mbrojtjes për këto familje të pambrojtura në shtëpitë e tyre, të fshehur në dhomat e tyre, duke u munduar të mbrohen, ndërkohë që terroristët dogjën shtëpitë e tyre me ta të gjallë brenda. Familje të djegura së bashku, të vrara… Është shumë e vështirë,” tha zoti Bernstein.
Ato që zoti Bernstein përshkruan janë copëzat e pamjes së trishtë, që po dalin në pah që nga dita e së shtunës, kur mijëra pjesëtarë të Hamasit depërtuan në Izrael, duke sulmuar pikat ushtarake izraelite, vendbanimet civile dhe rrethuar e zënë në pritë qindra të rinj që po merrnin pjesë në një festival muzike për të festuar përmbylljen e një feste hebraike.
“E premtja mbrëma, një natë para sulmit, ishte ditë feste. Kishim dalë me miq dhe mentalisht ishim një milion kilometra nga një situatë e tillë, ndonëse unë si aktivist, si një ish ushtar, si njeri që jam i angazhuar dhe i kushtoj vëmendje politikës izraelite dhe konfliktit izraelo-palestinez, gjithmonë e ndjej dhunën dhe tensionet që po ziejnë. Nuk jam nga ata që i injoron këto situata. Por, shkalla e kësaj ngjarje dhe imazhet, më kanë lënë pa fjalë,” tha ai.
Analisti i sigurisë Seth Frantzman, që njëherit është kolumnist për gazetën "Jerusalem Post" thotë se ajo që ngjau në mëngjesin e 7 tetorit ishte një sulm i koordinuar në 20 vende përgjatë kufirit ndërmjet Gazës dhe Izraelit, ku jetojnë rreth 60,000 izraelitë të shpërndarë nëpër shumë komunitete të vogla, të njohura si “kibuc”. Sipas tij, militantët e Hamasit, sistematikisht kishin sulmuar pozicionet dhe bazat ushtarake përgjatë kufirit dhe kanë arritur të depërtojnë në 20 komunitete izraelite dhe në festivalin ku ishin pjesëmarrës mijëra të rinj në të 20-tat. Me motoçikleta dhe makina, ata kanë rrethuar pjesëmarrësit në festival, duke shkatërruar makinat e tyre dhe duke i masakruar ata që po vraponin për jetën e tyre nëpër shkretinë.
“Numri i të vdekurve është shumë i madh dhe me gjasë disa komunitete përgjatë kufirit janë shuar plotësisht. Ky ishte një sulm i tipit gjenocidal,” tha ai.
Zoti Bernstein, i cili ka qenë pjesëmarrës i luftës në Rripin e Gazës në vitin 2014 si pjesë e ushtrisë së Izraelit dhe që atëherë është bërë pjesë e organizatave që janë kundër pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli, thotë se edhe si dikush që është rritur në Jerusalem gjatë Intifadës – kryengritjes palestineze në vitin 2000 gjatë të cilës sulmet vetvrasëse kishin goditur qytetet izraelite – shkalla e dhunës që po sheh është jashtë kontrollit.
“Pas kësaj asgjë më nuk do të jetë njësoj. Nuk e di se si do të përfundojë dhe nëse do të përfundojë, dhe po lutem që të përfundojë. Por, është e frikshme dhe ndihem se jetat tona kanë ndryshuar nga ky moment,” thotë ai.
Zoti Frantzman thotë se është e qartë që grupi militant Hamas e kishte planifikuar për një kohë të gjatë sulmin ndaj Izraelit.
“Është e qartë që Hamasi e planifikoi shumë këtë sulm dhe nuk mendoj se kanë besuar se mund të jenë kaq të suksesshëm. Ata arritën një sukses fenomenal taktik dhe strategjik. Kanë rrëmbyer 100 pengje. Në të kaluarën, rrëmbenin një ose dy izraelitë dhe Izraelit i duheshin pesë vjet për të negociuar kthimin e tyre. Tani nuk e di se si do t’i kthejë Izraeli këta njerëz. Është një katastrofë e përmasave epike, masive, për Izraelin dhe është më keq se çfarëdo tjetër që Izraeli ka përjetuar në të kaluarën. Është shumë më keq se lufta e vitit 1973,” shtoi ai.
Zoti Bernstein thotë se rreth e përqark vëren shumë zemërim ndaj udhëheqësve dhe ndaj atyre që kryen sulmin.
“Shoh një ndryshim rrënjësor, se ndoshta duhet t’i japim fund kësaj çështje një herë e përgjithmonë. Nuk di se çfarë do të thotë dhe më frikëson se çfarë nënkupton. Tronditje, konfuzion, hidhërim, një ndjenjë e dëshirës për hakmarrje. Por edhe shpresë ndërkohë që shoh njerëz që po dalin nga vetja për të shpëtuar jetë, njerëz të zakonshëm që po vënë jetën e tyre në rrezik për të tjerët. Dhe kjo më jep ndjenjën se do të ngrihemi sërish në këmbët tona,” tha ai.
Sipas zotit Frantzman dështimi i inteligjencës izraelite për të parandaluar sulmin e Hamasit lidhet me përqëndrimin e qeverisë izraelite në pesë vitet e fundit në kërcënimet që vijnë nga Irani dhe grupet e lidhura me të në rajon, si Hezbollahu, i cili vepron në Liban dhe ka shtrirje shumë më të gjerë se Hamasi.
Kërcënimi nga ky grup dhe reagimi ndaj Izraelit ndërkohë që vendi po vlerëson pasojat e sulmit të Hamasit mbetet rrezik për zgjerimin e luftës në Lindje të Mesme.
“Ka shumë shqetësim në Izrael se Hezbollahu ose Irani ose grupet e lidhura me Iranin në Bregun Perëndimor do të përfshihen në konflikt dhe do të provojnë ta shfrytëzojnë këtë situatë. Mendoj se shumë porosi i janë dërguar Hezbollahut të mos t’i bashkohet këtij konflikti ngase do të ketë pasoja katastrofike për Libanin… Ka shumë shqetësime se do të ndodhë një luftë shumë më e madhe,” tha ai.
Por, zoti Bernstein shpreson se ka një rrugë tjetër.
Ndonëse i ndërgjegjshëm se situta është tejet e rëndë, zoti Bernstein, sheh një fije shprese për të ardhmen.
“Shpresoj që sa më parë dhe se çmimi që do të duhet ta paguajmë të mos jetë shumë i ashpër dhe se do të gjejmë mënyrë për të jetuar së bashku… E di që ky zë duket qesharak, sidomos në një kohë të këtillë. Por jam thellësisht i bindur se nuk kemi alternativë tjetër. Ose do ta zhdukim njëri tjetrin, ose do të gjejmë mënyrë për të jetuar bashkë dhe për ta kuptuar njëri tjetrin,” tha ai.