Lidhje

Izrael, të paktën 300 të vrarë dhe disa qindra të plagosur nga sulmet e Hamasit


Ushtarët Izraelitë u përleshën të dielën me luftëtarët e Hamasit në rrugët e Izraelit jugor, ndërsa frocat ajrore rrafshuan ndërtesa në Gaza. Një shkëmbim i shkurtët zjarri në veri me grupin militant Hezbollah të Libanit shkaktoi frikën për një konflikt më të gjerë.

Media izraelite, e cila citoi zyrtarë të shërbimit të shpëtimit, njofton se të paktën 300 njerëz u vranë në Izrael, përfshirë 44 ushtarë. Njoftohet për rreth 1500 të plagosur nga sulmi i luftëtarëve të Hamasit të shtunën në Izrael. Ndërkohë, zyrtarët në Gaza njoftuan për rreth 313 të vrarë. Një zyrtar izraelit tha se ishtria kishte vrarë 400 militantë dhe kishte kapur dhjetëra të tjerë.

Izraeli është në luftë me militantët e Hamasit, tha kryeministri izraelit pas sulmeve masive të grupit militant. Njoftohet për mbi 200 të vrarë dhe disa qindra të plagosur izraelitë si dhe marrjen peng të ushtarëve dhe civilëve nga Hamasi.

Tel Aviv
Tel Aviv

Militantët e Hamasit ndërmorën një sulm ndaj Izraelit në shumë fronte të shtunën, duke e goditur atë me disa mijëra raketa, ndërsa dhjetëra luftëtarë militantë depërtuan disa zona të kufirit të fortifikuar ndërsa Izraeli kishte ditë feste.

Sulmi i Hamasit ishte i befasishëm.

Ashkelon, Israel
Ashkelon, Israel

Forcat e armatosura izraelite po vazhdojnë luftimet me militantët brenda Izraelit ndërsa forcat ajrore godasin objektiva të Hamasit në Rripin e Gazës.

Izrael, dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur nga sulmet e Hamasit
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:11 0:00

Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli ishte “në luftë" dhe bëri thirrje për mobilizim masiv të rezervistëve. Sulmi i Hamasit ringjalli kujtimet e luftës së vitit 1973, praktikisht 50 vjet nga dita e sotme.

Israel
Israel

“Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë, jo në një operacion por në luftë. Kam urdhëruar një mobilizim të gjerë të rezervistëve dhe ta kthejmë sulmin në përmasa që armiku nuk i ka parë ndonjëherë. Ne jemi në luftë dhe do ta fitojmë atë”, tha Kryeministri Netanyahu.


Gjatë një takimi me Këshillin e Sigurisë disa orë më vonë, zoti Netanyahu njoftoi për tre përparësitë e ushtrisë izraelite.

“Qëllimi ynë i parë është pastrimi i zonës nga forcat armike që kanë depërtuar dhe rivendosja e sigurisë dhe paqes në zonat që u sulmuan. Objektivi i dytë është të bëjmë që armiku të paguaj një çmim të madh, përfshirë edhe Rripin e Gazës. Synimi i tretë është të forcohen zona të tjera që askush të mos gabojë që t'i bashkohet kësaj lufte”, tha ndër të tjera Kryeministri Netanyahu.

Ndërkohë, udhëheqësi i opozitës izraelite thotë se ka propozuar formimin e një qeverie emergjente me Kryeministrin Benjamin Netanyahu.


Përmes një deklarate, zoti Yair Lapid tha se ishte takuar të shtunën me zotin Netanyahu dhe i sugjeroi kryeministrit që ta zëvendësonte koalicionin e tij të ekstremit të djathtë me një qeveri me bazë të gjerë të partive të qendrës.


Ai tha se zoti Netanyahu e di se "nuk mund ta menaxhojë një luftë" me partnerët e tij aktual. “Izraeli ka nevojë të udhëhiqet nga një qeveri profesionale, me përvojë dhe e përgjegjshme”, tha ai. Ai tha se një koalicion i tillë do t'u dërgonte një mesazh armiqve të Izraelit se vendi është i bashkuar kundër armiqve të tij.


Grupi militant i Hamasit thotë se ka kapur “dhjetëra” ushtarë izraelitë dhe po i mban robër në Rripin e Gazës.


Një zëdhënës i krahut ushtarak të grupit tha se ushtarët, përfshirë disa oficerë, u kapën gjatë një depërtimi të befasishëm në Izraelin jugor të shtunën. Zëdhënësi Abu Obedia tha se robërit po mbaheshin në “vende të sigurta” dhe tunele të militantëve.


Militantët e Hamasit hodhën mijëra raketa ndërsa dhjetëra luftëtarë u futën në qytetet izraelite pranë Rripit të Gazës në një sulm të papritur herët në mëngjes gjatë një feste hebraike.


Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se luftimet po vazhdojnë në 22 zona në jug të Izraelit rreth 12 orë pasi militantët e Hamasit nisën një sulm të befasishëm nga Rripi i Gazës.


Admirali Daniel Hagari tha gjithashtu se Izraeli po godiste nga ajri objektiva në Gaza dhe se operacionet tokësore ishin të pashmangshme. Zoti Hagari konfirmoi për pengmarrje në qytetet Ofakim dhe Beeri.

Më herët, ushtria izraelite dhe Hamasi konfirmuan se disa izraelitë ishin kapur dhe marrë peng.

Zhurmat e raketave që shiheshin në qiell dëgjoheshin pandërprerë në Gaza dhe sirenat e alarmit mund të dëgjoheshin nga Jeruzalemi deri në Tel Aviv, kryeqyteti i Izraelit, rreth 80 kilometra në veri.

Komandanti ushtarak i Hamasit, grupit që kontrollon Rripin e Gazës, njoftoi herët të shtunën se militantët palestinezë kanë filluar një operacion të gjërë kundër Izraelit.

“Sulmet fillestare kanë vënë në shënjestër pozicionet e armikut, aeroportet e tij dhe fortifikimet ushtarake gjatë 20 minutave të para, me më shumë se 5000 raketa të lëshuara”, tha Mohammad Deif, komandanti ushtarak i Hamasit.


Agjencitë e lajmeve kanë publikuar një mori pamjesh që tregojnë zona brenda Izraelit të përfshira nga flakët pas shpërthimit të raketave të Hamasit.

Pamjet filmike të grupit militant Hamas, në një zonë kufitare tregojnë momentin e kapjes së një ushtari izraelit nga militantët, të cilin më pas e marrin me vete në një motoçikletë.

Një një video tjetër të filmuar pranë kufirit shihet trupi i pa jetë i një viktime.

Disa orë pas fillimit të sulmit të Hamasit, militantët që kaluan kufirin vazhduan sulmet brenda disa lagjeve izraelite. Një video e filmuar nga një telefon celular tregon se si civilë izraelitë dhe individë të armatosur luftojnë me militantët palestinezë që ishin futur në një rajon policie në Sderot, një qytet izraelit rreth 2 kilometra nga kufiri me Gazën.

Pamjet filmike nga agjencia e lajmeve “Associated Press” në një zonë tjetër të këtij tregojnë viktimat izraelite në rrugë, të mbuluara me batanije.

Spitalet në Izrael po trajtojnë qindra të plagosur, përfshirë dhjetëra në gjendje kritike.

Ushtria izraelite tha se nisi sulme ajrore në Gaza, ku dëshmitarët raportuan për shpërthime të forta dhe të vrarë.

Pamjet e publikuara nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) tregojnë sulme ajrore kundër objektivave të Hamasit.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se lufta po zhvillohet ndërsa forcat izraelite po godasin zonën kufitare jugore.

Në Iran, i vetmi vend që e ka përkrahur sulmin e Hamasit, deputetët në parlament thirrën me zë të lartë: “Vdekje Izraelit” dhe “Palestina do të fitojë, Izraeli do të shkatërrohet”.

Sulmi masiv nga Hamasi e gjeti Izraelin të papërgatitur. Zhvillimet e së shtunës ndodhin pikërisht në 50 vjetorin e një lufte tjetër që gjithashtu e kishte zënë Izraelin në befasi.

Lufta e vitit 1973 e çoi Izraelin në prag të një humbje katastrofike. Beteja filloi me një sulm të befasishëm në dy fronte nga një mori tankesh siriane dhe brigadash egjiptiane. Plotësisht e papërgatitur dhe me shumë ushtarë në pushime, ushtria izraelite dukej sikur u mund fillimisht përpara se të zmbrapste armiqtë e saj në një seri sulmesh vendimtare.

Mbi 2,600 izraelitë u vranë gjatë luftës, humbja më e madhe që Izraeli ka pësuar ndonjëherë në një luftë të vetme. Nga ana tjetër, megjithëse nuk ka shifra të konfirmuara të viktimave, raportohet për 15,000 egjiptianë dhe 3,500 sirianë të vrarë gjatë kësaj lufte.

XS
SM
MD
LG