GRANADA, Spanjë – Një ditë pasi i premtoi mbështetje të palëkundur Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Komisioni Evropian u përball me një ndër dilemat më të vështira politike – për mënyrën dhe kohën se kur mund të mirëpresë si anëtare Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
Ndasia u shfaq menjëherë, mes atyre që dëshirojnë pranimin sa më shpejt të jetë e mundur të Ukrainës dhe të vendeve të tjera aspirante, dhe atyre që dëshirojnë që të pritet më gjatë. Këto ndasi kanë krijuar kështu premisat për bisedime të vështira për një çështje për të cilën duhet vendim unanim i të 27-të vendeve anëtare. Ndër vendet me statusin e vendit kandidat për anëtarësim janë Turqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Moldavia, Ukraina dhe Bosnjë-Hercegovina, ndërsa vendet që aspirojnë marrjen e statusit të vendit kandidat janë Gjeorgjia dhe Kosova.
Shumica e vendeve të BE-së kanë deklaruar që kur filloi sulmi i forcave ruse në shkurt 2022, se do të punojnë me vendosmëri për një “unitet afatgjatë” me Ukrainën, që në vazhdim do të sillte një anëtarësim të këtij vendi në union. Tashmë, Presidenti i Hungarisë Viktor Orban, i cili ka qenë vazhdimisht një zë kundërshtues në takimet e nivelit të lartë, ka këmbëngulur se e gjithë kjo ide duhet të rishikohet nga e para.
“Nuk kemi bërë ndonjëherë zgjerim me një vend që gjendet në luftë. Dhe nuk dimë ku ndodhen kufijtë realë, sa njerëz jetojnë atje”, tha zoti Orban kur mbërriti për takimin e nivelit të lartë të BE-së në Granada. “Më vjen keq, është e dhimbshme futja e këtyre vendeve në BE”, tha ai.
Udhëheqësit evropianë do të duhet të vendosin nëse do të çelen në dhjetor bisedimet zyrtare me Ukrainën për anëtarësimin e saj, por zoti Orban tha se unioni është ende i papërgatitur për të marrë vendime të tilla të rëndësishme.
Zoti Orban këmbënguli se nuk janë zgjidhur ende pasojat buxhetore, krahas ndikimit që do të kishte prodhimi masiv bujqësor i Ukrainës tek fati i fermerëve në vendet e tjera. “A jeni gati për këtë? A janë fermerët francezë gati për këtë? Janë kaq shumë pyetje”, tha ai.
Muajin e kaluar, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia vunë masa ndalimi ndaj grurit ukrainas dhe produkteve të tjera ushqimore që hyjnë në tregjet e tyre, duke thënë se këto importe ulin çmimet për prodhuesit vendas. Në përgjigje, Ukraina ka paraqitur një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përmendi vitin 2030 si një afat të mundshëm për anëtarësimin, duke e bërë të qartë se disa vende të BE-së mbështesin procesin e përshpejtimit të anëtarësimit të Ukrainës, ndërsa të tjerë, si zoti Orban, dëshirojnë ta frenojnë atë.
Kryeministrja Kaja Kallas theksoi avantazhet që iu dhanë Estonisë me anëtarësimin në union në vitin 2004, duke e shndërruar nga një vend relativisht të varfër, në një vend që radhitet pas më pak se dy dekadash pranë mesatares së BE-së për prodhimin e brendshëm bruto.
“Do të përfitonim të gjithë nga zgjerimi”, tha zonja Kallas.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen këmbënguli se tregu pothuajse i njehsuar i BE-së për biznesin dhe tregtinë është ndër pasuritë më të mëdha të unionit, dhe se nga zgjerimi do të përfitonin të gjithë. “Zgjerimi i tregut të përbashkët është një vlerë e shtuar e jashtëzakonshme për të gjithë ne”, tha ajo.
Por, zonja von der Leyen ka theksuar se “anëtarësimi bëhet bazuar tek merita”. Ajo thotë se ritmin e anëtarësimit duhet ta diktojë përparimi që këto vende bëjnë drejt përafrimit të legjislacionit të tyre me rregullat dhe standartet e BE-së, dhe jo një afat i caktuar në mënyrë arbitrare. Procesi burokratik i përafrimit me mijëra rregullore të BE-së, mund të marrë lehtësisht një dekadë, apo edhe më shumë.
Dhe ashtu siç vetë vendet anëtare duhet të zbatojnë reforma, po ashtu edhe BE-ja duhet të përshtatet në shkallë më të gjerë. Kjo vlen për rishpërndarjen e fondeve, për shndërrimin e përfituesve aktualë në kontributorë për të ndihmuar vendet e reja anëtare që janë më të varfëra, si dhe për harmonizimin e vendimmarrjes për të pakësuar numrin e vendimeve për të cilat duhet unanimitet.
Kjo ka rezultuar e vështirë për vendet që janë tashmë anëtare, në veçanti për sa i përket rregullave të vjetra prej dekadash që vazhdojnë të jenë në fuqi megjithëse ishin projektuar fillimisht për një grup të vogël vendesh me lidhje të forta.
Pra, sfida e BE-së tashmë është që të sigurohet që reformat e nevojshme të jenë të miratuara në kohën kur vendet aspirante do të jenë të gatshme për t’u anëtarësuar.
“Nëse vendet i përmbushin të gjitha kriteret, mendoj se është e gabuar t’u themi se ‘oh, por ne nuk jemi gati tani’,” tha zonja Kallas. “Pra nga ana jonë, duhet patjetër që të bëjmë detyrat tona të shtëpisë”.